Sot kujtohet dita e rënies së bustit të Enver Hoxhës, 30 vite më parë, në qendër të kryeqytetit shqiptar. Mijëra qytetarë u ngritën më 20 shkurt të vitit 1991 për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetë po jetonte ditët e tij të fundit. Të shumtë kanë qenë ata që e kanë përkujtuar këtë ditë nëpërmjet postimeve të tyre në rrjetet sociale, veçanërisht ata që u gjendën në vendin dhe kohën e duhur dhe dhanë kontributin e tyre për rënien e bustit të njeriut që udhëhoqi Shqipërinë për vite të tëra në një diktaturë nga më egërat në Europë. 30 vjetorin e rrëzimit të bustit e ka kujtuar sot dhe Igli Cara, ish deputet i Partisë Demokratike në Parlament. Me anë të një video të publikuar në faqen e tij zyrtare në faceBook, me pamje të grevës së studentëve dhe rrëzimit të bustit Cara shkruan se “Europa dhe gjithshka që ajo përfaqëson, ishte ëndrra jonë më e madhe.
Postimi i plotë:
30 vjet nga Greva e Urisë së studentëve
30 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Hoxha
30 vjet më parë ne ishim të gjithë studentë, 20 vjeçarë me ëndrrën për lirinë e shprehjes mendimit dhe lëvizjes, të drejtën e pronës dhe të drejtën e besimit.
Evropa dhe gjithshka që ajo përfaqëson, ishte ëndrra jonë më e madhe.
Në vitet që pasuan ne shkuam drejt Evropës në rrugë të ndryshme: emigracion , punësim , shkollim; liberalizimi i vizave ofroi më shumë mundësi . Evropa u përpoq e vijon të përpiqet për të na “mësuar” standartet e saj, për të na ofruar mbështetjen e saj në shumë drejtime, por hendeku mes nesh duket që pak ngushtohet.
Evropa është kulturë e mentalitet, është vizion, dashuri dhe përgjegjësi për vendin e popullin tënd, është shpirt ndryshimi e vetëmohimi. Janë pikërisht këto tipare që i mungojnë drejtuesit të sotëm të Shqipërisë dhe që kanë sjelljë ikjen masive të qytetarëve të Shqipërisë.
Le të jetë ky 20 shkurt i përvjetorit të tridhjetë të rënies së regjimit komunist, si një ditë reflektimi për pranverën që vjen dhe për “përmbysjen” e diktatorit të gjallë të korrupsionit e shitjes së interesave të shqiptarëve.