Ai është cilësuar si Marubi i Dropullit. Një arkiv fotografish që përshijnë epoka, pjesë të rëndësishme të historisë, po tërheqin vëmendjen e vizitorëve në një ekspozitë që është hapur në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës. Veprat e Jorgo Mihal Vaso, janë bërë bashkë për herë të parë në një shfaqje publike, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 30 shtator, duke sjell nëpërmjet mjeshtërisë së fotografisë ngjarje, portrete, evente, të gjitha në format të dixhitalizuara nga familja e tij.
Nëse gjendesh këto ditë shtatori në qytetin e gurtë, të mbrojtur nga UNESCO, Gjirokastër, në Muzeun e Kalasë së tij, do të shijosh dhe një tjetër magji.
Ngjarjet mes viteve 1922- 1985 do ti prekësh nga afër, nëpërmjet mjeshtërisë së fotografisë, të njeriut që i ka dhënë emër zonës së Dropullit, Jorgo Mihal Vaso, i cili falë një profesionalizimi të lartë në artin e celuloidit është konsideruar si Marubi i Dropullit.
Një udhëtim në kohë, nëpërmjet një arkivi fotografik që sjellë të djeshmen, momentet më të rëndësishme, kështu është konceptuar kjo ekspozitë që u realizua ne kuadër të edicionit XIV të Takimeve Muzikore të dy Botëve, nga shoqata Argjiro me mbështetjen e Ambasadës Greke në Tiranë dhe Konsullatës së Përgjithshme greke të Gjirokastrës.
Ekspozita u çel më 21 gusht në një event që ka mbledhur organizatorë, njerëz të artit dhe kulturës, por dhe vizitorë të huaj dhe vendas, të cilët kanë zgjedhur të jenë në Gjirokastër.
Mes një mori fotografish, kjo është shfaqja e parë publike e veprës së fotografit legjendar, siç konsiderohet Jorgo Mihal Vaso. Një arkiv-thesar me vlerë të pallogaritshme, i përbërë nga më shumë se 62.500 fotografi të ruajtura dhe dixhitalizuara me perpjekje titanike nga familja e tij.
Arkivi përmban foto nga viti 1922 deri në vitin 1985, periudhën midis dy Luftërave Botërore dhe asaj të regjimit komunist. Një material i jashtëzakonshëm vizual i njerëzve, vendeve, praktikave dhe ngjarjeve jetësore të pakicës kombëtare greke në Shqipëri.
E ndërsa duam të shijojmë ekspozitën me copëza ngjarjesh, jetësh, vende dhe vise, shumë shpejtë kuptojmë se i gjithë arkivi i mjeshtrit Vaso, përbën dhe një ndihmë të madhe për studiuesit universitarë apo muzetë historikë. Vetë fotografi ka lënë shënime të sakta duke përshkruar se ku dhe kur u shkrepën fotografitë duke na dhënë një mundësi të madhe për të kategorizuar dhe kuptuar vendndodhjen e pjesës më të madhe të fotove të tij.
Një trashëgimi fotografike “Dropulli ndër vite”, siç quhet ekspozita e kuruar nga Antea Garo me mbështetjen e Vasil Vasos, djalit te fotografit, ajo sjell në të tashmen përmes artit të fotografisë, pjesëza nga jeta e përditshme nga fshatra të ndryshme të Dropullit.
Për Ilda Mara, drejtoreshë e festivalit kjo galeri fotosh është një trashëgimi me vlera të mëdha muzeale dhe etno-kulturore, e cila na vjen sot, falë punës së disa brezave të familjes së fotografit dropullit Jorgo Vaso.
“Fotografia si arti i dritës, na vjen këtë rradhë jo vetëm me vlerat e saj artistike, por dhe si një dëshmi e një kohe tjetër. Le të shpresojmë që ky thesar të vijë në Dropull me një muze fotografie, i cili do të jetë një udhërrëfyes i jetës dhe zakoneve të dikurshme në këto treva”, thotë Mara.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit shtator, më pas ajo do të vendoset në hallin e ekspozitave të Bashkisë Dropull, ku banorë të zonës mund të shohin Dropullin e para një shekulli.
Erjola Azizolli/shtator2021/