Lëvizja Socialiste për Integrim, ka reaguar sot në lidhje me përmbytjet e ditëve të fundit, në qytetin e Durrësit. Në një postim në faqen e saj zyrtare në FaceBook, Lsi është ndalur në përmbytjen e shëtitores “Taulantia”. “Ky projekt pa standarde dhe pa respektuar rregullat teknike u financua nga qeveria shqiptare dhe u zbatua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me bashkinë Durrës”, shkruan ndër të tjera LSI.
Postimi i plotë:
Shëtitorja “Taulantia” e sapo përuruar dhe me një kosto prej miliona eurosh përmbytet sa herë që bie shi.
Ky projekt pa standarde dhe pa respektuar rregullat teknike u financua nga qeveria shqiptare dhe u zbatua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me bashkinë Durrës.
Miliona euro shkuan dëm, sikurse kanë shkuar në shumë projekte të tjera në Durrës, dhe qytetarëve nuk u sigurohen hapësira të duhura publike.
Në këtë shëtitore në verë piqesh nga dielli, ndërsa në dimër përmbytet.
Durrësi është pushtuar nga betoni dhe papërgjegjshmëria.
Më prill të largojmë sektin e betonit dhe korrupsionit.
Kontjana Kuçi
Kryetare e LSI Durrës