Drejtoria Vendore e Policisë në Durrës bëri me dije se ka sekuestruar 2 kg lëndë narkotike marijuanë, ndërsa arrestoi një shtetas italian.
Njoftimi i plotë i policisë:
Bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve mes Policisë Kufitare dhe strukturave të DVP Durrës çoi në goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen rreth 2 kg lëndë narkotike marijuanë.
Arrestohet në flagrancë një shtetas italian, posedues i lëndës narkotike.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, kanë intensifikuar kontrollet, si në dalje ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara në dalje në PKK Durrës, bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë në PKK Durrës, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, mjeti tip “Citroen”, me drejtues shtetasin italian G. A.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të mjetit, në pjesën fundore poshtë bagazhit, brenda gomës rezervë kanë konstatuar 2 paketime, brenda të cilave ndodheshin 2 kg lëndë narkotike marijuanë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit italian G. A., 50 vjeç, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.