Durrësi është një qytet antik dhe bregdetar. Një përkufizim, që e njeh kushdo të paktën në formë, pasi përmbajtjen nuk kanë pasur durim ta mësojnë saktë të gjithë.
Pak ditë më parë, vetë kreu i qeverisë e përcaktoi historinë e tij 2700-vjeçare. Një lapsus apo një dëshirë e fjetur e Kryeministrit?
Një histori, që po zvenitet, jo ngadalë, por me një ritëm marramendës dhe të pashpjegueshëm.
E dua këtë qytet, pasi është i lidhur ngushtë me fëmijërinë time, të cilën e kujtoj me nostalgji, po aq sa edhe Durrësin, që po shndërrohet në një të ri, por jo domosdoshmërisht më të bukur.
Një Velierë betoni e ngritur mbi historinë; trotuare më të gjerë, se dy korsi makinash; një shesh, që në rastin më të mirë, të vret sytë, ndërsa mjafton vesa e mëngjesit, për “të thyer turinjtë”, siç thotë i urti. Pa u ndalur te varfëria, që është ulur këmbëkryq në rrugët e qytetit.
E çorientuar në vendlindjen time, ku taksat m’i kërkojnë, por mendimin nuk ma dëgjojnë!
Së fundmi, syri i është vënë portit, nyjes strategjike, që nuk do të mund t’i shpëtojë tjetërsimit.
Një projekt me shifra të hirta, që shpërfilli këdo.
Specialistët e fushës, nuk hezitojnë të tregojnë se ky projekt ngre pikëpyetje, që do të mbeten të tilla edhe pas zbatimit, (nëse do të vihet në jetë).
Jashtë loje janë edhe qytetarët e Durrësit, që rrinë e shohin si po shndërrohet ky qytet, së paku 2700 vjeçar, nëse do të zgjedhin t’i besojnë Kryeministrit, ndërsa vendosin të largohen nga ky vend, pasi janë të pafuqishëm për të ndryshuar këtë realitet kokëfortë, që na shenjon çdo ditë.
Pa anashkaluar, një fakt të thjeshtë. Durrësi nuk është pronë e asnjë qeveritari apo politikani, që këtë qytet e sheh me armiqësi, duke garuar me natyrën, për t’i marrë sa më shumë ngjyra, hapësira, tablove, që ajo ka ravijëzuar me kujdes.
Çadrat dhe kontenierët janë dëshmi e vuajtjeve të banorëve të këtij qyteti, që ka nevojë për frymëmarrje dhe jo për betonizim.
Një qytet që po tkurret, po kërruset.
Vendlindja ime sot më flet ndryshe, me gjuhën e dhembjes dhe të trishtimit. Të vetmet, që ngrenë kryet janë kujtimet. Të strehuara në zemër, ato kërkojnë të jetojnë edhe në këtë qytet të betonuar, ku e blerta i ngjan një molle jo të ndaluar, por të helmuar, që duhet hedhur sa më larg, mundësisht në thellësitë e detit.
Lutet dëshpërimisht në heshtje ky qytet, duke kërkuar shpëtim, përballë babëzisë pa limite të kujtdo, që e sheh si prenë e radhës.
Ndërsa taksapaguesit, banorët e qytetit antik dhe bregdetar, vihen përpara zgjedhjeve pa zgjedhje, pasi Durrësi sot është thjesht i pajetueshëm.
Një dilemë, që nuk po na ndahet, një duel i heshtur midis ikjes pa kthim dhe qëndrimit në folenë tënde, që e rreh era dhe shiu, por mbetet më e ëmbla në botë.
Me këtë ritëm qyteti magjik, që ngrihet buzë detit do të shndërrohet në një përrallë.
Na ishte një herë një qytet!