Masat kufizuese që janë marrë, por edhe procesi i vaksinimit duket se kanë dhënë një efekt shumë pozitiv në përmirësimin e situatës nga pandemia në Britaninë e Madhe. Jo më larg se dy ditë më parë, autoritetet e shëndetit publik nuk raportuan asnjë rast vdekjeje nga Covid në Londër, hera e parë kjo në 6 muaj.
Ekspertët e kanë cilësuar si një moment historik dhe fantastik, por ende shumë larg nga kthimi në normalitet.
Si pasojë e përmirësimit të situatës në fillim të kësaj jave në Britaninë e Madhe ka nisur lehtësimi i masave, të cilat do të vijojnë gradualisht edhe në javët në vazhdim.
Në një lidhje direkte për “Wake Up”, gazetari i Top Channel në Londër, Arben Manaj bëri të ditur se Anglia mund të hapet më 12 prill.
“Datë vendimtare 12 prilli, kur pritet të hapen baret, pubet, sallonet etj. Vala e dytë ka qenë shumë e zymtë për Britaninë, pas në muajt e parë të vitit janë regjistruar 55 mijë vdekje.
Britania ka një program të jashtëzakonshëm vaksinimi, ndryshe nga gjithë vendet e tjera të Europës. 36.7 milionë të vaksinuar me dozën e parë të vaksinës ose 58-59 për qind e popullsisë”, tha Manaj.