Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me disa gra në Përmet në kuadër të fushatës së 25 prillit.
Ai theksoi se gratë e vajzat po përfshihen përditë e më shumë në turizëm e biznes. Rama gjithashtu tha gjatë takimit se në maj do të nisë vaksinimi për të gjithë infrastrukturën e hotelerisë.
“Në maj do të fillojmë me të gjithë infrastrukturën e hotelerisë. Sepse është shumë tërheqëse për turistët të thuash hajde se i gjithë stafi i hotelit është vaksinuar”, tha Rama.
“Do vijojmë të ndjekim të njëjtën strategji, kufijtë do të jenë të hapura. Kufirin me Kosovën do e mbajmë hapur, pavarësisht se aty është ndërlikuar puna me numrat, për shkak të fushatës. Ata nuk bënë kujdes dhe po përballen me rritje të numrave. Do e keni më të lehtë sezonin, por prapë do të jetë një sezon ku shqiptarët do e kalojnë në vendin e tyre, sidomos ata shqiptarë që iknin jashtë. Kemi parë që ka filluar të ketë kërkesa nga të huajt, sidomos izraelitët, suedezët shumë, Evropa Qendrore shumë. Gjermanët njëçikë më pak. Janë numra pak, sepse ata kanë probleme atje, por këto vënde janë shumë të interesuar dhe ne po punojmë, që pasi të zbresim këto fashat, këtë javë zbret fasha e vaksinimit shkon 65, e do të vijojmë në maj me të gjithë infrastrukturën e hotelerisë për të vaksinuar stafet. Është tërheqëse ti thuash turistëve që hajde, ky staf është i vaksinuar dhe eja pa frikë. Ka qenë propozim i vetë industrisë, ne na pëlqeu shumë dhe e studiuam. Kjo do të jetë një ndihmë. Shqipëria nga pikëpamja e malit është i njohur, por jo aq. Niveli i turistëve që vijnë në këtë pjesë është mesatar ose i ulët. Që të sjellim turistë që shpenzojmë shumë, edhe në mal duhet të krijojmë pikat e një turizmi që ofron më tepër, skitë janë A-ja, shoqëruar me elementë të tjerë. Kështu, ishte edhe puna me bregdetin, kompania që ka ardhur për të ndërtuar në portin e Durrësit, kurrë nuk vinte të investonte në të kaluarën”, tha Rama.