Kreu demokrat Lulzim Basha tha se një nga premtimet e tij, nëse vjen në pushtet, është që në 6 muajt e parë të bëjë realitet statusin e minatorëve.
Ai tha se ndryshimi vjen përmes Partisë Demokratike dhe i bëri thirrje qytetarëve të votojnë për të, që ta bëjnë prekshme këtë ndryshim.
Postimi i plotë
“Qytetarë, fermerë, mirë se ju gjej në këtë mesdite të bukur të ndriçuar nga dielli, sepse një ditë e re po vjen, për Shqipërinë, shqiptarët, ditë ndryshimi, fitoreje për Shqipërinë, Bulqizën, Dibrën dhe të gjithë Shqipërinë.
Entuziazmi juaj, forca e thirrjes suaj për ndryshim, ka bindur çdo shqiptar, se 25 prilli është dita juaj. Nuk është dita e politikës së përçarjes, por dita e politikës së bashkimit për të shporrur këtë qeveri. Prandaj 25 prilli është një ditë jo për politikën. Por për njerëzit, qytetarët, popullin dhe ndryshimin.
Por a është 25 prilli një ditë për minatorët e Bulqizës? A është dita e ndryshimit, për mijëra banorë të këtij qyteti dhe qyteteve të tjera që e kalojnë gjysmën e ditës. A është 25 prilli vazhdim i gënjeshtrave, premtimeve të pambajtura, pagave të pamjaftueshme, minatorët e Bulqizës. A është 25 prilli vazhdimi i pamundësisë për të dërguar fëmijët e minatorëve në universitet.
Kjo është pyetja në mendjen e shumë minatorëve të Bulqizës dhe unë e di fare mirë. E di sepse këtu nga ky shesh dhe shesheve të tjera të Bulqizës kemi folur, për problemet që janë bërë gjithnjë e më të mëdha, premtimet që janë hedhur me shumicë në fushatë elektorale e më pas janë harruar. E dimë që Shqipëria është mbytur në halle për shkak të keqqeverisjes së Ramës.
Ne e dimë që në detin e vuajtjeve spikat ajo e minatorëve të Bulqizës, naftëtarëve të Ballshit, ndaj kam ardhur sot këtu, për të shpallur e bërë të njohur një nga ndryshimet kryesore të qeverisë time, për resurset minerale.
Ndaj dua ta përsëris, nga ky shesh i Bulqizës, për çdo minatorë Bulqiza, minator shqiptar, për familjet e tyre dhe fëmijët e tyre, për sindikatat e minatorëve dhe pensionistët minatorë që kanë shpenzuar jetën e tyre nën tokë. Qartë, prerë e shkurt, brenda 6 muajve të parë qeveria ime do të miratojë statusin e minatorin sipas parimeve Evropiane. Kjo është më e pakta dhe detyrimi më i vogël për ju, fëmijët tuaj, për shkollimin e tyre, sigurimin e jetës së tyre. Brenda 6 muajve të parë në dialog dhe në konsensus me përfaqësuesit tuaj statusi i minatorit do të jetë realitet. Do heq traun në rrugën e Kombit. Detyra e parë e atij që kërkon votën për të qeverisur është të mbaj zotimet. Ndaj kam ardhur këtu të votohem prej jush, sepse statusi i minatorit do të jetë i garantuar me PD dhe qeverinë e ardhshme”, u shpreh Basha.