Kamerat e sigurisë kanë zbuluar lëvizjet e fundit të dy autorëve që ekzekutuan gazetarin grek, George Karaivaz.
Pamjet e siguruara kanë rënë në duart e policisë, të cilët po hetojnë çështjen dhe kërkojnë prova për të identifikuar autorët. Në fotografi duket shoferi i motorit “Beverly”, i veshur me të zeza, teksa në kokë mban një kaskë të bardhë.
Ndërsa pasagjeri dhe ekzekutuesi i dyshuar i gazetarit ka një maskë të zezë, është i veshur me pantallona blu të errëta dhe bluze gri.
Sipas informacioneve që kanë autoritetet deri tani, pasi qëlluan për vdekje gazetarin, autorët u larguan në një pikë të panjohur, braktisën motorin dhe hipën në një automjet me të cilin u arratisën dhe zhdukën gjurmët.
Policia po shqyrton makinën e George Karaivaz për të zbuluar nëse është instaluar një gjurmues GPS me të cilin autorët kanë monitoruar viktimën e tyre.
Sende të tjera personale që i përkasin George Karaivaz, të tilla si laptopi dhe telefoni i tij celular janë marrë nga policia për të hetuar në detaje se nëse gjejnë ndonjë lidhje me autorët.