Më datën 29 mars, policia shqiptare ka arrestuar shtetasin Gabriele Tarroni Longinotti, pasi akuzohet për mashtrim financiar në nivel ndërkombëtar, në momentin kur ai po largohej nga Shqipëria.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, për shtetasin italian në kërkim G. L., 49 vjeç, i kapur nga shërbimet e P. K. K. Rinas, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi””, thuhet në njoftimin për shtyp i Policisë më 29 mars.
Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë pikërisht për një mashtrim ndërkombëtar ku shtetasi italian vepronte edhe në Shqipëri. Ai akuzohet se ka mashtruar kompaninë BP, të cilës i ka vjedhur shumën prej 1milionë eurosh, si dhe akuzohet për falsifikim dokumentesh bankare.
Sipas burimeve krahas italianit nën hetim është vënë edhe shoqëria Gala me seli në Tiranë, me administrator po nga Gabriele Tarroni Longino.
Ndërkaq shoqëria BP shpreh vlerësimin për punën e shkëlqyer të bërë deri tani nga policia e shtetit dhe ka besim në rezultatin final të hetimeve, të cilat janë akoma në vazhdim nga autoritetet kompetente.