Kreu i PD, Basha e mbajti mëngjesin e sotëm me një konferencë online me përfaqësues gjermanë të trajnimit profesional dhe organizatave të zejtarëve në Gjermani.
Basha ka shprehur qartë synimet e tij për të nxitur e adoptuar modelin gjerman të trajnimit dual, reformën në arsimin universitar, frenimin e emigrimit masiv të të rinjve apo thithjen e investimeve të huaja.
Gjermanët Lutter dhe Ëittberg kanë vlerësuar idetë e Bashës, duke e garantuar se gjatë qeverisjes së PD në Shqipëri të ketë një sistem ekselent, të suksesshëm të këtij formimi profesional.
Postimi i plotë:
“Për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk ka gjë më të rëndësishme sesa të frenojmë emigracionin masiv të rinisë. Për këtë arsye, ne po planifikojmë një reformë të thellë në arsimin universitar me qëllim adoptimin e modelit gjerman të trajnimit dual, në bashkëpunim me Aleancën Europiane të Universiteteve dhe me Universitetet e Gjermanisë, të Austrisë dhe të gjithë Europës. Qeveria jonë do të aplikojë taksën e sheshtë 9% për tatim fitim, do të aplikojë po kështu taksën e sigurimeve shoqërore në nivelin 18%, do të eliminojë një taksë që kjo qeveri ka vendosur mbi karburantet, e cila e bën karburantin në Shqipëri të tretin më të shtrenjtin në botë me Singaporin dhe Suedinë. Me këto 3 masa dhe disa masa të tjera fiskale, do bëjmë të mundur që Shqipëria nga ana fiskale, nga ana e taksave të jetë vendi me taksat më të ulëta në Ballkan” – tha Basha
Kryedemokrati gjithashtu tha se qeveria e ardhshme do të vendos një stazh 12 mujor të paguar nga shteti për 10 mijë student të diplomuar, për t’u mundësuar lidhjen me tregun e punës, si dhe do investoj në ngritjen e 4 inkubatorëve që do të jenë mbështetje për të rinjtë të cilët duan t’i futen rrugës së sipërmarrjes. Ndërsa marrëveshja me Aleancën e Universiteteve Europiane parashikon ofrimin e 5 gjuhëve të huaja falas për qytetarët nën moshën 35 vjeç.
“Ne po vendosim ose do të vendosim një stazh të paguar me paratë publike për 12 muaj, për 10 mijë studentët më të mirë nga 35 deri në 40 mijë të diplomuar rishtaz të sektorit publik çdo vit, që të ndërtojmë një urë nga universiteti drejt tregut të punës. Por po kështu, duam të investojmë në ngritjen e 4 inkubatorëve të cilët përmes granteve dhe infrastrukturës, t’i japim mundësi të rinjve me shpirt sipërmarrës dhe të rinjve me ide për inovacionin dhe për sipërmarrjen që të kenë një dorë që t’i ndihmojë dhe jo pengesa pas pengesash në rrugën e tyre për të themeluar një biznes të vetin. Për t’ju referuar asaj që tha profesor Vidberg, edhe në Shqipëri ka shumë kampionë të fshehura. Kemi vendosur kontakte me Aleancën Europiane të Universiteteve dhe kemi përpunuar së bashku planin për të ofruar fillimisht 5 gjuhë të huaja online pa pagesë për qytetarët shqiptarë nën moshën 35 vjeç, duke filluar nga 1 shtatori. Bëhet fjalë për anglishten, gjermanishten, italishten, spanjishten dhe frëngjishten dhe po kështu për trajnime për 20 profesione të ndryshme” – tha Basha.
Shefi ekzekutiv i Shoqatës së Zejtarëve të rrethit Paderborn, Michael Lutter, tha se sistemi dual është një sistem i lidhur ngushtë me ekonominë. Ai u shpreh se kjo shoqatë ka filiale edhe në vendet e tjera europiane dhe shprehu dëshirën që ekspertizën e tyre ta sjellin dhe në Shqipëri.
“Nga ana financiare dhe ekonomike, e mbështet dhe shteti, 1/3 e kostove i merr përsipër shteti ne këtë sistem dual. Ne si shoqëri kemi mbi 4000 kompani, të cilat janë të përfshira në sistemin dual në vendin tonë. Ne kemi filiale edhe në vendet e tjera europiane dhe natyrisht, me shumë dëshirë, ekspertizën tonë do t’ua japim juve dhe jam i sigurt që do t’ia dalim që në Shqipëri të kemi një sistem ekselent, të suksesshëm të këtij formimi profesional. Nëse do të arrini të kualifikoni të rinjtë në vendin tuaj, atëherë do t’ia arrini qe të thithni dhe investitorët. Ky sistem do t’ju ndihmonte që ju të mbanit rininë në Shqipëri. Nëse do të arrini të kualifikoni të rinjtë në vendin tuaj, atëherë do t’ia arrini qe të thithni dhe investitorët. Situata është në favorin tuaj. Ju jo vetëm e keni dalluar problemin, por keni dhe ide shumë të mira. Ju keni ekspertizën se si duhet organizuar, ju e dini tashmë edhe se si duhet financuar, ju keni një vizion të qartë se si do të jetë e ardhmja në vendin tuaj. Është detyra jonë, është detyra e Europës për t’jua dhënë këtë ndihmë, për ta ofruar këtë mbështetje.” – tha Michael Lutter.
Ndërsa profesori gjerman Ëittberg, ekspert në temat e klasës së mesme dhe tregtisë, vlerësoi programin e Partisë Demokratike dhe tha se shtresa e mesme është një faktor i rëndësishëm dhe për t’u realizuar duhet të zhbëhet burokracia dhe ka nevojë për një administratë ekselente.
“Ju keni një program shumë të zgjuar, e keni formuluar mirë që përmbledh të dy kushtet: nga njëra anë arsimin dhe nga ana tjetër klimën e biznesit. Shtresa e mesme në Gjermani është një faktor i rëndësishëm që na mundëson ne që të mos emigrojnë specialistët drejt metropoleve, po te rrinë atje ku e kanë dhe prejardhjen. Kjo do të ishte edhe për Shqipërinë një koncept shumë i dobishëm për t’u realizuar dhe për këtë duhet të përmbushen disa kushte: duhet të zhbëhet burokracia, duhet të keni një administratë që të ofrojë shërbime në mënyrë ekselente, jo vetëm në qendër por edhe në komunat e vogla, duhet të keni një financim lokal” – u shpreh profesori gjerman Ëittberg.