Lorenco Vila do të jetë mungesa e madhe e Teutës për ndeshjen e javës së 29-të të Kategorisë Superiore ndaj Tiranës, të cilën e presin në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Sulmuesi i krahut, me kartonin e verdhë të marrë në Korçë, i cili ishte i katërti, humbet sfidën me bardheblutë. 22- vjeçari është golashënuesi i dytë më i mirë i Teutës pas Dejvi Bregut, me 7 gola në 26 ndeshje të luajtura.
Tirana është kundërshtari i preferuar për Vilën, së cilës në këtë sezon i ka shënuar dy gola, që përkojnë me dy fitoret në transfertë të cilat Teuta i ka fituar minimalisht 0-1. Kështu që, gjatë përgatitjeve për kryeqytetasit trajneri Edi Martini vijon të provojë alternativat, në mënyrë që të gjejë zëvendësuesin ideal për Lorenco Vilën. Në mungesë të tij, trajneri Martini mund t’ia besojë vendin e titullarit Grudës, por alternativë është edhe sulmuesi Sebino Plaku.
FORMACIONI I MUNDSHËM – Durrsakët kanë vazhduar edhe dje përgatitjet për Tiranë dhe fatmirësisht në ekip nuk ka të dëmtuar. Kështu që, grupi i plotë mund të konsiderohet si një “dhimbje koke” për trajnerit Edi Martini, që duhet të përzgjedhë 11-shen më të mirë për Tiranën. Trajneri është në mëdyshje, pasi shumë lojtarë luajnë për një fanellë në pozicione të ndryshme. Për t’u zbuluar është fakti nëse do ketë ndonjë ndryshim nga titullarët e sfidës se fundit. Martini pritet të aktivizojë në portë Frashërin.
Në mbrojtje në të majtë të mbrojtjes ka balotazh mes Xheksonit dhe Kuros, ku braziliani duket më në avantazh. Ndërsa Arapi, Hoxha dhe Todorovski plotësojnë katërshen e mbrojtjes. Sa i përket dyshes para mbrojtjes, shoqëruesi i Aleksit pritet të jetë njëri mes Dajës dhe Karabecit. Ndërsa treshja pas Krasniqit në majë të sulmit mendohet mund të jetë E.Vila, Bregu, si dhe njëri mes Grudës dhe Plakut.
PANORAMASPORT.AL