Në 25 maj 2020, Bashkimi Evropian miratoi vendimin për të vënë në dispozicion asistencën makro-financiare drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të zgjerimit të Evropës Lindore në kontekstin e krizës nga pandemia COVID-19.
Komisioni Europian në një postim në Twitter ka njoftuar se në muajin mars ka lëvruar 90 milion eurot e para të përfituara nga asistenca 180 milion euroshe.
Postimi i plotë:
Për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Shqipërisë, Komisioni Europian lëvroi këtë mars 90 milion € e parë të ndihmës makro-financiare. Një tjetër demonstrim i fortë dhe konkret i solidaritetit të BE me Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë në një kohë krize të paparë.
Vitin e kaluar Ministria e Financave njoftoi se nga fondi i alokuar, Republika e Shqipërisë do të përfitonte asistencën makro-financiare prej 180 milion euro në formën e një huaje të butë, me normë indikative të interesit rreth 0.5% me kushtet aktuale të tregjeve financiare.
Qëllimi i kësaj asistence është lehtësimi i kufizimeve të financimit të jashtëm të vendit, lehtësimi i bilancit të pagesave dhe nevojat buxhetore, të forcojë pozicionin e rezervës valutore dhe të ndihmojë vendin të adresojë sfidat aktuale të jashtme dhe financiare.
Top Channel