Arqile Gorea, presidenti i Teutës në basketboll për meshkuj vijon përplasjet me FSHB-në. Kreu i skuadrës bregdetare, i cili njihet për qëndrimin e tij kritik për mënyrën e menaxhimit të basketbollit shqiptar, ka shpërthyer së fundmi me akuza të forta në drejtimit të federatës. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Gorea flet për trukime ndeshjesh apo baste, duke shënjestruar arbitrat dhe drejtuesit e federatës.
SEZONI – Presidenti i Teutës fillimisht komenton sezonin aktual, duke evidentuar vështirësitë e shumta, si dhe flet për triumfin në Kupë ndaj rivalëve të Goga Basket: “Faktikisht situata në të cilën ndodhemi është e jashtëzakonshme, ku pandemia ka bërë punën e saj, aq më tepër që ambientet tona sportive u kthyen në qendra vaksinimi. Përpos këtyre, patëm edhe një sforco shtesë në sezonin e zgjedhjeve që okupoi të gjitha ambientet sportive me qendra të numërimit të votave. Gjatë gjithë kësaj periudhe ekipi ka qenë endacak për sa u përket stërvitjeve, por si element kompensues ka shfaqur një dëshirë të madhe dhe një vullnet të palëkundur te sportistët për të realizuar objektivat që i kanë vënë vetes. Këtë e treguan edhe në Kupën e Shqipërisë, ku edhe pse në një situatë jo të favorshme pasi ndeshjen nuk u luajtën në ambient asnjanës, por në një fushë të zgjedhur nga federate. FSHB-ja po vepron si Enver Hoxha duke zgjedhur radiostacionin e Fllakës për të ndriçuar gjithë Shqipërinë”, shprehet Gorea.
MERKATO – Ish-kryebashkiaku i Durrësit, me tej flet për afrimin e rëndësishëm në merkato, amerikanin Ogden, ndërsa akuzon federatën për vonesën në regjistrimin e tij: “Një lojtar si amerikani Ogden i mungonte ekipit dhe jemi shumë të kënaqur nga paraqitja e tij deri më tani, pasi ka treguar vlera. Por, dua të theksoj se këtë lojtar federata nuk e lejoi të luante kundër Kamzës, pasi përballeshim kundër ekipit të sekretarit të federatës dhe djalit të tij, të cilët janë pjesë e çorbës së pisët që gatuhet në kuzhinën e interesave dhe pehlivanllëqeve të federatës që fillojnë nga trukimi i ndeshjeve dhe deri te bastet. Nuk e lanë me pretekstin se ne nuk i kishim paguar të gjitha detyrimet, që është një justifikim sa qesharak aq edhe i pistë, pasi akoma federata nuk ka kurajën të deklarojë se sa fonde kanë tepruar nga ato që ne kemi depozituar vjet me pagesa për një kampionat të ndërprerë. Si kalojnë ato fonde në favor të ekipeve? Kemi një diferencë shumë të madhe të trajtimit të ekipeve, të cilat trajtohen sipas preferencave të këtyre njerëzve. Pra, e kam thënë dhe e përsëris që federata dominohet nga konflikti i interesit dhe nga pabarazia, gjë që u mor përsipër nga z.Ponari, i cili tha se do ta korrigjojë, por situata me sa duket sa vjen dhe përkeqësohet”.
OBJEKTIVAT – Gorea konfirmon objektivat e rëndësishëm të klubit, ndërsa thekson së në këto vite skuadra e tij është dëmtuar nga federata: “Në të gjitha vitet Teuta ka qenë pretendente dhe vijojmë të jemi në vazhdimësinë të ambicieve që kemi pasur gjatë këtyre viteve. Dihet shumë mirë se si dy vite më parë na e morën kampionatin me anë të një grabitjeje spektakolare të një lojtari, që u bë nga ekipi i Gogës, për të cilin federata heshti duke mbajtur thjesht një qëndrim mosfederimi. Por, ai ishte një aksion me dëm të pariparueshëm për Teutën, që na shkaktoi humbjen e kampionatit dhe vendit të parë në Ligën Ballkanike. Edhe vjet ishim të parët, por federata nuk deshi dhe nuk pati kurajë të na e jepte titullin. Megjithatë, ne përsëri do të luajmë për të qenë protagonistët e kampionatit shqiptar. Mirëpo, është për të ardhur keq që në një kohë kur ne zbrazim xhepat dhe vendosim në diskutim pasuritë tona, persona të veçantë mbushin xhepat dhe rrisin pasuritë e tyre”.
BASTET – Një akuzë shumë e fortë nga Gorea ka të bëjë me çështjen e basteve, pasi presidenti i Teutës e lidh mënyrën e përcaktimit të arbitrave me bastet: “Përderisa bëhet lojë e fshehtë me arbitrat, të cilët nuk zgjidhen me short dhe që janë të klasifikuar sipas shërbimit që u bëjnë eksponentëve të federatës, atëherë kjo nuk më rezulton gjë tjetër përveçse trukim ndeshjes dhe përfitim në baste”. Më pas Gorea kërkon shpjegime nga FSHB-ja për disa problematika: “Janë shumë gjëra që federata duhet t’i sqarojë, duke nisur që nga faturat e detyrimeve, të arkëtimeve, të shpenzimeve, të shkëmbimeve dhe njëkohësisht edhe faturat që lëshohen për sponsorët. Kemi sponsorë që i kanë mbytur ambientet e basketbollit shqiptar me reklama individuale, të cilat kam idenë që nuk përfundojnë në favor të basketbollit”.
ARBITRAT – Në fund drejtuesi i skuadrës durrsake komenton edhe finalen e Kupës te femrat, duke sulmuar hapur Ervin Koçin, një prej gjyqtarëve me më shumë eksperiencë në kampionatit shqiptar, i cili prej vitesh mban stemën e FIBA-s: “Historia fillon dhe mbaron tek arbitrat, të cilët janë jeniçerët e federatës. Të gjithë e panë se çfarë ndodhi në finalen e femrave, ku ndeshja u fitua nga Flamurtari, por Kupën ia dhanë ekipit të Ervin Koçit, njeriut të sekretarit të federatës. Kjo situatë i ka ndodhur edhe Teutës kur është përballur me ekipin e gjyqtarit Koçi, ndeshje që janë trukuar nga arbitrat duke influencuar direkt në rezultat. Ky gjyqtar është shërbëtor dhe vegël e federatës, por do të vijë dita kur pas përdorimit do të flaket. Vetëm atëherë do ta kuptojnë se çfarë dëmi i kanë sjellë basketbollit. Unë nuk dua t’i nxij të gjithë, pasi sigurisht kemi edhe arbitra që janë korrektë, të cilët i falënderoj, por përsëris që kazanit të përzier keq dhe të gjitha shkeljeve të statutit duhet t’u vijë fundi. Ky është edhe apeli im për federatën dhe për z.Ponari, sepse nëse nuk vihet dorë atëherë kemi vetëm dy arsye: ose kemi të bëjmë me diçka biokarakteriale që dominohet nga ligësia, ose kemi të bëjmë me një kapje që bën të pamundur ndërhyrjen në këtë ambient kaq të rëndë për basketbollin shqiptar, i cili ka prekur fundin”, përfundoi Arqile Gorea.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL