Çfarë është Rrodhja e madhe?
Bëhet fjalë për një bimë me emrin botanik Arctium lappa. Atë mund ta keni hasur gjatë shëtitjeve në pyll. Janë pikërisht iriqët e vegjël që ngjiten në pantallona ose çorape.
Gjethet dhe kërcenjtë e Rrodhes së madhe kanë vlera në mjekësinë bimore. Rrënja e bimës ndoshta ka vlera më të mëdha sepse mund të konsumohet si perime dhe është e pasur me fibër.
Gjethet e thata dhe farat e bimës përdoren për vajin esencial që përdoret gjërësisht në mjekësi.
Rëndësia e bimës përmendet edhe në mjekësinë bimore aziatike. Rrodhja e madhe mund të përdoret në kuzhinë por edhe në mjekësi.
Tensioni i gjakut
Një nga aspektet më të nënvlerësuara të Rrodhes së madhe është aftësia për të ulur tensionin e gjakut. Bima ka një përqendrim të lartë të kaliumit që zbut tensionin në sistemin kardiovaskular, qetëson enët e gjakut dhe parandalon shfaqjen e artereosklerozës, atakut në zemër dhe goditjeve në tru.
Tretja
Rrodhja e madhe është përdorur për të përmirësuar tretjen falë nivelit të lartë të fibrave që bima përmban. Këto fibra ndihmojnë ushqimin të lëvizë më lehtë dhe parandalojnë konstipacionin, fryrjet, dhimbjet dhe ulçerën.
Diabeti
Ndonëse të gjitha llojet e fibrave mund të rregullojnë ekuilibrin mes insulinës dhe glukozës në trup, inulina – një lloj fibre – është mjaft efikase në zbutjen dhe parandalimin e diabetit dhe simptomave shoqëruese të tij.
Pastrimi i mëlçisë
Substancat që i japin Rrodhes së madhe shijen karakteristike të hidhur ndihmojnë në prodhimin e lëngjeve tretëse në stomak, një proces që i vjen në ndihmë mëlçisë në largimin e përshpejtuar të toksinave nga sistemi.
Lëkura
Një nga efektet më të njohura anësore të konstipacionit, nivelit të lartë të toksinave në gjak, ose ushqyerjes së keqe, është inflamacioni i lëkurës. Ky inflamacion manifestohet në formën e njollave dhe akneve në lëkurë.
Sistemi imunitar
Sasitë domethënëse të vitaminave C dhe E, të cilat shërbejnë edhe si antioksidantë, e ndihmojnë organizmin të eliminojë radikalet e lira dhe të përmirësojë funksionet e sistemit imunitar.
Çaji i Rrodhjes së madhe
Përgatitja e këtij çaji është shumë e thjeshtë, nëse keni rrënjë të freskët të bimës. Nëse keni gjetur rrënjën e freskët në natyrë ose në pikat e shitjes së bimëve medicinale, atëherë ndajeni në copa të vogla.
Më pas me një thikë rrënjët prijini në shirita të hollë. Lërini të thahen në diell për disa orë dhe më pas vendosini në një tenxhere. Ngrohini por mos përdorni vaj.
Pjekja në tenxhere duhet të zgjasë 5 deri në 10 minuta deri sa shiritat të marin një ngjyrë të artë në nuancat e kafes. Pas ftohjes, shiritat e rrënjës së bimës mund të përdoren për çaj.
Pjesën e mbetur mund ta ruani në një kavanoz të cilin duhet ta mbani në një vend të errët, të thatë dhe të freskët.
Receta
Përbërësit:
8-10 shirita të rrënjës së bimës
2 gota me ujë të pijshëm
1 lugë çaji me mjaltë organik ose sheqer, sugjerohet kaf
Përgatitja
Vendosini shiritat e rrënjës së bimës në një çajnik.
Ujin zijeni veçmas dhe pas 2-3 minutash hidheni në çajnik.
Lërini shiritat të çlirojnë esencën e tyre për 5-10 minuta.
Hidheni çajin në një filxhan dhe shtoni ëmbëlsues natyralë, pra mjaltë ose sheqer. /AgroWeb.org
* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.
Burimi: U.S. National Library of Medicine