Më shumë se 180 njerëz janë plagosur në ndërhyrjen e forcave izraelite kundër palestinezëve në Mesxhid Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.
Sipas një deklarate me shkrim të bërë nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, policia izraelite plagosi më shumë se 180 njerëz, përfshirë punonjës të Gjysmëhënës së Kuqe.Nga të plagosurit, 80 janë shtruar në spital.
Siç njoftoi korrespondenti i AA-së në terren, policia izraelite ka ngritur dron mbi zonën e faltores së shenjtë Al-Aksa. Në incidentet që pasuan pas kësaj, policia izraelite ndërhyri ndaj të gjithë palestinezëve në Haram Al-Sherif, përfshirë Xhaminë e Kibles dhe Kupolën e Shkëmbit.
Zëdhënësi i Vakëfeve Islame të Kudsit, Firas Dibs, tha se disa të plagosur janë arrestuar nga policia izraelite gjatë dërgimit në spital.
Fotoreporteri i AA-së, Mustafa Kharouf, i cili u godit nga një plumb plastik në shpinë gjatë ndërhyrjes së policisë izraelite më 7 maj, u plagos gjithashtu në gjoksin e tij ndërsa ndiqte ngjarjet e fundit në Harem Al-Sharif. Siç mësohet, përveç tij, të plagosur kanë mbetur edhe gazetarë të tjerë.
Mijëra palestinezë të cilët e falën namazin e sabahut në Mesxhid Al-Aksa, më pas organizuan një demonstratë në oborrin e faltores, duke thirrur tekbire.
Pas demonstratës, palestinezët filluan të qëndrojnë në kompleks për ta mbrojtur atë nga bastisjet e hebrenjve fanatikë. Më pas, policia izraelite duke bastisur Al-Aksanë, intervenoi ndaj palestinezëve me gaz lotsjellës dhe plumba.
Hebrenjtë fanatikë festojnë “ditën e Kudsit” sipas kalendarit hebre, për të përkujtuar përvjetorin e Luftës së Gjashtëditore kur Izraeli në vitin 1967 okupoi Kudsin Lindor.
Organizatat fanatike hebreje, me rastin e “ditës së Kudsit” që këtë vit përkon me datat 9-10 maj, kishin bërë thirrje për bastisje në Mesxhid Al-Aksa.
/topchannel