Kryeqyteti u trondit mbrëmjen e djeshme nga një vrasje me armë zjarri. Një i ri, Mehmet Qema 27 vjeç u qëllua me pistoletë në rrugën “5 Maji” në Tiranë ndërsa ndërroi jetë në spital. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:15.
Policia thotë se rrethanat janë ende të paqarta, por dyshohet për një konflikt mes disa personave që ka agravuar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Autori është identifikuar nga policia si Marjus Dema dhe është në kërkim të tij që prej mesnatës ku ka ngritur postblloqe të ndryshme në rrugën hyrëse e dalëse të Tiranës si dhe po bën krehjen e zonës.
Dy të rinjtë Qema dhe Dema ishin nën shoqërinë e njëri-tjetrit dhe të miqve të tjerëve ku dyshohet se mes tyre ka nisur një debat dhe nga ky konflikt i çastit është përdorur dhe arma e zjarrit që la të vdekur 27-vjeçarin.
Viktima nuk njihet si person me precedent penal, ndërkohë që policia ka shoqëruar disa persona që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen.
Gjithashtu policia thotë se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.