Me afrimin e stinës së verës ndihet nevoja për hapësira publike në plazhe, për këtë policia po vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e zënies së hapësirave publike dhe ndërtimeve të paligjshme. Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Manzë, në vijim të punës për kontrollin e territorit, për zënien e hapësirave publike dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, kanë evidentuar një rast flagrant tek “Kepi i Rodonit”.
Është arrestuar në flagrancë shtetasi S. A., 43 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, administrator i një kompleksi në “Kepin e Rodonit”, Durrës, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”, pasi është konstatuar duke ndërtuar dhe zaptuar hapësirën publike në pjesën e rërës buzë detit, pa lejen e organeve kompetente.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë edhe
i shtetasve: E. L., 21 vjeç; Xh. B., 27 vjeç, banues më Ishëm, Durrës; F. D., 43 vjeç, banues në Lushnjë dhe F. M., 23 vjeç, banues në Manzë, për vepren penale “Dhënie ndihmë për ndërtim të paligjshëm”, pasi ishin duke kryer punime të ndryshme në ambientet e këtij kompleksi.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.