Astrologia Meri Shehu ka treguar në emisionin e Rudinës disa karakteristika të çdo shenje të horoskopit dhe disa këshilla për të patur një verë sa më të mirë. Ajo e vë theksin tek pasionet dhe erotizmi, ndërsa këshillon çdo shenje që të mos i kursejë vetes gjërat e bukura.
‘Dielli në Luan kërkon shkëlqim, argëtim, festa, kështu që këshilla e përgjithshme është që turruni dhe mos ia kurseni vetes gjërat e bukura. Erotizmi në Gusht është shumë i fuqishëm sepse shenja e Luanit është dominante dhe pasionet e mëdha janë të nxehta.Pasionet e Gushtit zgjasin, kështu që ata që do të njihen në Gusht do të jenë të favorizuar për lidhje më afatgjata sepse kur vendos Luani, është shenjë stabël, e qëndrueshme, që kërkon lidhje erotike me pasion, me ndjenjë, nuk i kërkon momentale dhe pa bazë’, thotë astrologia.
Lexo më poshtë për 12 shenjat e horoskopit:
Dashi
Për Dashin, Luani është shenja direkt erotike. Për Gushtin, do të jenë akoma më në qendër të vëmendjes dhe duhet të jenë të parët që duhet të marrin pjesë nëpër festa. Të kenë kujdes nervozizmin e tepruar, akumulimin e energjisë, reklamimin e tepërt të cilësive sepse mund të kthehet në një regres ose situatë negative. Të jenë vetvetja, pa marrë më shumë zjarr se sa duhet.
Demi
Do dëshirojë të takojë njerëz të afërt familjarë ose të shkojë në vende që i quajnë vendlindje, ose të investojnë në vende që i quajnë të tyret, do të jenë të lidhur me atë çfarë quajnë familje. Pushime, por familjare, të mëdha në këtë periudhë Gushti. Të kenë kujdes me konfliktet familjare, të shmangin debatet në periudhën e Gushtit sepse Marsi do jetë në Luan dhe nuk do të ishte mirëbërës me ta në momente familjare apo festive. Dëshira për të kontrolluar këto marrëdhënie mund t’iu kthehet në një anë negative.
Binjakët
Përveçse shpejtësisë, nuk duhet të kenë kujdes me asgjë tjetër. Do të jenë të shpejtë, të vrullshëm në udhëtime e kontakte dhe do të kenë dëshirë të jenë më në ritëm se zakonisht. Të ruhen sepse shpejtësia sjell moskontrollim. Mbajtja e frenave do të ishte e mirë. Do të jenë erotikë, me njohje shumë të mira sepse do favorizohen për blerjen e mjeteve të shpejta.
Gaforrja
Do duan të reklamojnë veten dhe të bien në sy për çfarë kanë marrë dhe çfarë kanë dhënë. Ka të bëjë me një lloj egoizmi sesa argëtimi. Kujdes sepse shpenzimet e papritura mund të jenë më të shumta se sa duhet dhe mund të shpërqendroheni.
Luani
Ndodhet në zonën e tij, do të ketë më shumë dashuri brenda vetes, dëshirë për festa e dhurata. Marsin e ka në shenjën e tij dhe mund të dalë pak më shumë luftarak se sa duhet, por do të nxitojnë për të mos humbur rastet dhe shanset që kanë kapur gjatë muajit Korrik. Ky do të jetë një muaj shumë i mirë për ta, por do të duan të bien në sy. Do të shprehen dhe reklamohen gjatë muajit Gusht. Të jenë disi më të vetëpërmbajtur.
Virgjëresha
Duan ta shijojnë shumë Gushtin, por në heshtje presin më shumë fundin e tij sepse kanë nevojë për pak më shumë tërheqje, meditim e qetësi. Gushti do të jetë i vrullshëm, të kenë kujdes për të mos mbajtur brenda vetes çfarë duan të thonë. Nuk duhet të akumulohet si energji brenda tyre dhe të rregullojnë marrëdhëniet me kolegët e punës, nuk është koha për armiqësi.
Peshorja
Kërkon gjithnjë ekuilibrin dhe do të anojë nga shkëlqimi dhe dashuria më e madhe. Shumë Peshore do ta humbin ekuilibrin dhe do të kërkojnë madhështoren, edhe pse është kundra natyrës së tyre. Më mirë gjërat e mëdha se sa të vogla.
Akrepi
Dëshiron të merret me karrierën dhe dëshiron të shkëlqejë sepse është shenjë e natës, e Plutonit, mendimeve të thella dhe dëshiron të evidentohet. Nuk do të reshtin së menduari që krahas pushimeve të bëjnë dhe punë. Çdo gjë do ta organizojnë në interes të punës, famës dhe reklamimit. Këshilla për Akrepët është që reklamimi është i mirë, por nuk duhet të lënë pas dore gjërat që i kanë bërë të lumtur.
Shigjetari
Do të udhëtojnë shumë dhe do të kapërcejnë kufijtë më larg se sa vendi i tyre, por nuk do të ndihen komodë. Do të ndihen të stresuar dhe revoltuar, pasi situata atje ku do të shkojnë nuk do të jetë e qetë. Duhet të ruajnë qetësinë në çfarëdolloj situate.
Bricjapi
Nuk shkon mirë me Luanin sepse Gushti i lë në hije, kritikat, sugjerimet e tyre nuk merren parasysh. Akulli i tyre shkrin dhe nuk ka më potencë, do të ndihen të mërzitur dhe do t’i marrë rryma e njerëzve me të cilët do të jenë në partneritet. Këshilla për ta është që duhet të përshtaten me njerëzit, sidomos me shenjat e Zjarrit për të shmangur mospajtimet dhe fërkimet.
Ujori
Janë në kundërshtim me Luanin dhe nuk do të duan argëtime dhe shpërthime sipas Luanit, por sipas mënyrës së tyre dhe do të bëjnë diferencën. Gjithsesi, nuk duhet të dalin jashtë pritshmërive të momentit.
Peshqit
Vera nuk shkon pa romantizmin dhe ekzotizmin e tyre, por do të shpenzojnë shumë. Nuk është problem, por nuk duhet të shpenzojnë në fushën e ndjenjave apo t’i lejojnë të tjerët që të thonë ose të bëjnë gjëra që nuk i ndiejnë për shkak të humbjes së kontrollit.
*Tiranapost.al.