Faktoje publikon raportin: Bashkia e Durrësit 75% transaparente ndaj qytetarëve
Tre premtime të pambajtura nga katër të monitoruara dhe një nivel transparence prej 75% për vitin 2022. Këto janë përfundimet për Bashkinë e Durrësit, pjesë e një raporti të hartuar nga Faktoje, të prezantuara në një takim, ku morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë dhe anëtarë të Këshilit Bashkiak, të zhvilluar këtë të enjte.
Megjithëse Faktoje i kishte dërguar ftesë institucionit të qytetit bregdetar për të pasur mundësinë e një ballafaqimi të gjetjeve, kjo bashki nuk u bë pjesë e kësaj përballjeje.
Ky është viti i tretë radhazi, që kjo Qendër zbaton Projektin “40 premtime, 10 bashki” për 2022, mbështetur nga “National Endowment for Democracy” (NED).
10 ishin bashkitë e monitoruara: Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shijak, Krujë dhe Kurbin; 6 prej të cilave të prekura nga tërmeti i vitit 2019 dhe pjesa tjetër bashki për të cilat u mbajtën zgjedhjet e pjesshme vendore në mars 2022.
Referuar përfundimeve të prezantuara
nga 10 bashkitë e përzgjedhura vetëm ajo e Kurbinit ka përkeqësim të treguesve të transparencës.
Në bashkitë Shkodër, Lezhë, Shijak, Dibër, Durrës, Krujë, Vorë kemi rritje të transparencës krahasuar me vitin paraardhës. Ndërsa Lushnja dhe Rogozhina kanë ruajtur të njëjtin nivel transaprence me vitin 2021.
Sipas raportit, bashkitë me performancën më të lartë të transparencës janë ajo e Shkodrës dhe Lezhës me 100%, ndjekur nga Bashkia e Shijakut me 87.5%, Dibra dhe Durrësi me 75%, Kruja me 68.7% dhe Vora 56.3%. Përformancën më të dobët e mban Bashkia e Kurbinit me 37.5 %, ndjekur nga ajo e Rogozhinës me 43.7% dhe Bashkia e Lushnjës me 50%.
Edhe sa i takon mbajtjes së premtimeve Bashkia e Kurbinit rezulton me përformancën më të keqe, ku katër premtimet e përzgjedhura për t’u verifikuar rezultojnë të pambajtura. Më pas vjen Bashkia e Durrësit dhe Vorës me nga 3 premtime të pambajtura, Shkodra, Dibra, Shijaku, Rrogozhina, Kruja me nga 2 premtime të pambajtura dhe Lushnja me 1 premtim të pambajtur. Bashkia e Lezhës nuk ka asnjë premtim të pambajtur, por numëron 3 të mbajtura pjesërisht. Në total, nga 40 premtimet publike në 10 bashkitë e monitoruara janë mbajtur plotësisht vetëm 10 prej tyre, 20 janë premtime të pambajtura dhe 10 të tjera pjesërisht të mbajtura.
Gjithashtu, në raport gjendet edhe monitorimi i procesit të ngritjes dhe funksionimit të Këshillit Vendor Rinor, një detyrim ligjor i bashkive që do të shërbente në fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikëbërëse;
“Nga 10 (dhjetë) bashki nën monitorim, 6 (gjashtë) prej tyre e kanë ngritur Këshillin Vendor Rinor me Vendim të Këshillit Bashkiak; 3 (tre) prej tyre janë në proces përzgjedhjeje të anëtarëve të KVR-ve, ndërsa në 1 (një) bashki rezulton të mos e ketë nisur ende procesin e ngritjes se KVR-së.”- sugjerojnë gjetjet e raportit të monitorimit për vitin 2022.
Qëllimi i këtij projekti është monitorimi i bashkive sa i përket mbajtjes së premtimeve dhe transparencës, me qëllim që t’i ndihmojë këto bashki të rrisin transparencën, të nxisin llogaridhënien si dhe të përmiresojnë shërbimet për qytetarët.