A duhet të vaksinohen gratë shtatzënë? Kjo është pyetja që po bëhet më shpesh së fundmi dhe aktualisht mjekët nëpër botë thonë se provat e deritanishme tregojnë se ato janë të sigurta edhe për këtë kategori.
Vaksinat anti-Covid nuk u testuan te gratë shtatzëna gjatë provave klinike, duke shkaktuar disa hezitime për nënat në pritje të një fëmije.
Që nga 16 shkurti, ka pasur mbi 30,000 shtatzëni të raportuara në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, nga gra të cilat janë vaksinuar gjatë kësaj periudhe dhe tek ato nuk është vërejtur asnjë lloj komplikacioni.
Sipas CDC, nuk janë raportuar as aborte, as lindje të parakohshme, apo sëmundje të tjera si ajo e diabetit.
Në një lidhje Skype për “Wake Up”, mjekja anesteziste në Boston, Ina Zaimi Schwartz tregoi se ajo është vaksinuar, edhe pse është shtatzënë.
Mjekja rrëfeu se tashmë i ka bërë të dyja dozat e vaksinës Pfizer/ Biontech dhe është 27-javëshe shtatzënë, në pritje të një vajze.
“Isha 12-javëshe ne dozën e parë dhe në të dytën 15-javëshe. Në dozën e parë pata një dhimbe të lehtë në krahun e injeksionit, në të dytën pata temperaturë, të dridhura dhe dobësi trupore që zgjatën 24 orë.
Fëmijët e grave të vaksinuara gjatë shtatzënisë kanë lindur me antitrupa. Unë jam një dëshmi që tregon se nuk pata asnjë problem me vaksinimin. Vendimi për t’u vaksinuar u takon nënave të reja, por unë vendosa ta merrja sepse do ta dëmtoja më shumë veten dhe bebin nëse rrezikojë të infektohesha”, u shpreh mjekja shqiptare në SHBA.
E pyetur nëse imunizimi mund të ndikojë tek lindshmëria, ajo theksoi: “Pretendimi se vaksina mban këtë proteinë është fals dhe sigurisht lajmi i rremë merr dhen, por nuk ka asnjë provë që kjo gjë është e vërtetë”.
gsh/