“Suksesi vjen kur ëndrrat e tua janë më të mëdha sesa justifikimet”. Ishte ky mesazhi i fundit që lëshoi Kristiano Ronaldo pas barazimit në Firence, i cili ndërlikoi në mënyrë të frikshme zonën Champions për Juventusin.
Portugezi, i cili tashmë ka hyrë në kaos edhe me veten e tij, lidhur me të ardhmen, ku pyetja kryesore është që të respektojë edhe vitin e fundit të kontratës me “Zonjën e Vjetër” apo jo, ky fakt ka bërë që kjo paqartësi të reflektohet edhe në fushën e lojës. Ndoshta mund të jetë e pabesueshme për një goleador si ai, por e vërteta thotë se Kristiano nuk shënon gol prej 4 ndeshjesh në Serinë A.
Kjo çmenduri zgjat konkretisht 347 minuta. Dhe nëse bëjmë një “gërmim” mes statistikave negative të jashtëtokësorit portugez, një agjërim kaq i gjatë atij nuk i ndodhte që nga muaji nëntor i vitit 2017, kur luante ende për Realin e Madridit (edhe atëherë 4 ndeshje). CR7, gjithsesi e ka treguar shpesh se di si të dalë nga momentet më të vështira, tani më shumë se kurrë, teksa Juventusi ka mjaft nevojë për të.
Në Udine, 36-vjeçari duhet të zbresë në fushë duke e “anuluar” nga mendja e tij minutazhin e agjërimit dhe të fokusohet te shifra 25, pikërisht numri i golave të realizuar deri tani në Serinë A, falë të cilëve kryeson renditjen e golashënuesve.
PANORAMASPORT.AL