Policia e Durrësit ka vënë në pranga 3 persona të cilët janë kapur me armë dhe drogë.
Pas kontrolleve të befasishme, policia njofton se ka sekuestrar armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, fara cannabis dhe një shumë parash.
Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri ose lëndë narkotike, Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në qytet. Si rezultat i kontrolleve, bazuar edhe në informacione të marra në rrugë operative, kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:
H. K., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 16, Durrës, është ndaluar nga shërbimet e Policisë mjeti tip “Smart”, që drejtohej nga ky shtetas, dhe gjatë kontrollit u gjet një armë zjarri pistoletë, 9 fishekë, 1 thikë dhe një sasi lëndë narkotike marjuanë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
E. K., 34 vjeç, banues në Durrës, i cili po lëvizte me biçikletë në lagjen nr. 4, Durrës, dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Patrullat e Përgjithshme i janë gjetur 42 doza me lëndë narkotike heroinë, 17 doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë prej 108.890 lekësh dhe 3 grirëse hashashi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
E. H., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi shërbimet e Policisë e kanë ndaluar në lagjen nr. 1, Durrës dhe gjatë kontrollit fizik, në xhep, iu gjetën fara të dyshuara canabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.