Autori i plagosjes së aktivistit të PD në Kavajë, Bledar Okshtuni, reagon nga arratia. Ndriçim Jonuzi (Tahiri) thekson se është ndjerë i fyer që e kanë cilësuar socialist, pasi sipas tij, ka sakrifikuar gjithë jetën për PD.
“Po e bëj këtë deklaratë për të sqaruar vëllezërit e mi myslimanë, që të rrinë të qetë, se as kam mend të merrem me politikë, sot e mot, inshalla. Më kanë thënë që Lul Basha, kryetari i PD, më ka cilësuar socialist dhe nuk më vjen mirë fare me mi humb gjithë ato sakrifica gjithë jetën time për PD, vetëm se me shfrytëzuar këtë situatë për fushatë tani. Normalisht çdo njeri do me fol, me pastruar veten e vet. Megjithatë e dinë vetë”, shprehet ai.
Jonuzi sqaron se gjithçka ndodhi nuk ka të bëjë me politikën, por për shkak se, sipas tij, personat me të cilët u konfliktua i kishin zënë rrugën një nëne me shami dhe pasi ky i kishte kërkuar llogari ata u sollën në mënyrë arrogante.
Postimi i plotë:
“Padyshim që nuk jam krenar për atë që kam bërë, si besimtar që jam zoti të më falë, nuk ka lidhje me sulme politike, të gjithë e dinë atë që ndodhi dje në xhaminë Dine Hoxha, ne e ndjejmë si për vete, si besimtarë që jemi, na kujtohet ajo e Zelandës së re, ku u vranë vëllezërit dhe motrat tona. Kur pashë këtë mistrecin që i zuri vendin një plaku me thinj dhe një nëne me shami, Mir Gjocin që i ka flokët me thinja, shkoi për iftar te roptë e vetë, dolën dy horra që i kanë buzët me qumësht, thjesht i kam fol ‘hape rrugën’, megjithatë më vjen keq për të ëmën e atij, si për plakën time, ndodhi. Vëllezër ma bëni hallall për shqetësimet, Çim Jonuzi i ka mbaruar punët me PD-në, nuk më intereson asnjë prej partive”, thotë Jonuzi.