Edhe ata njerëz që nuk janë të fiksuar me horoskopin, me siguri që janë kuriozë dhe kanë lexuar për karakteristikat e shenjave. Linda Goodman, astrologia më e shitur sipas New York Times, ka bërë një përshkrim të detajuar të karakteristikave të çdo shenje të zodiakut.
Kush është Linda Goodman? Mary Alice Kemery e njohur ndryshe dhe si Linda Goodman, lindi në 9 prill 1925 dhe ndërroi në moshën 70 vjeçare, në 21 tetor 1995. Ajo ka qënë e para astrologe në listën best seller të New York Times. Libri i saj Linda Goodman’s Sun Signs ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm dhe u pasua më vonë nga Linda Goodman’s Love Signs (1978) që gjithashtu u fut në listën e librave më të shitur nga New York Times, duke vendosur një rekord në këtë industri: 2.3 milionë dollarë për të drejtat e autorit.
Karakteristikat e Ujorit
Shumë njerëz e pëlqejnë ylberin. Fëmijët shprehin dëshirat e tyre kur shohin një ylber; piktorët i vizatojnë ose pikturojnë ata, ëndërrimtarët i ndjekin pas, por personi i shenjës së Ujorit ia kalon të gjithëve. Ai jeton në një ylber. Për më tepër, ai e ka marrë dhe e ka shqyrtuar atë, pjesë-pjesë, ngjyrë më ngjyrë dhe ende beson në të. Nuk është e lehtë të besosh në diçka, pasi ke marrë vesh se çfarë është në të vërtetë ajo, por Ujori është në thelb realist, edhe pse adresa e tij është e nesërmja, aty lart, me një yll të shndritshëm blu si kod postar. Ashtu si Liza e hutuar në labirintet e Botës së Çudirave, të shkruar nga Lewis Carroll i shenjës së Ujorit, ju duhet të jeni vazhdimisht të përgatitur për të papritura me njerëzit e udhëhequr nga planeti i Uranit. Në përgjithësi, të sjellshëm dhe të qetë nga natyra, Ujorët megjithatë i gëzohen sfidës që i bëjnë opinionit publik dhe ata fshehurazi kënaqen nga tronditja që pësojnë njerëzit prej sjelljeve të tyre të çuditshme të rastit. Këta njerëz zakonisht të butë dhe të mirë, mund t’ju lenë pa fjalë me deklaratat dhe veprimet e habitshme në momentet më të paparashikueshme. Ai do të ecë zbathur në rrugë , nëse dëshiron ta bëjë këtë dhe do të qeshë me ju, pse ju po qeshni me të. Ujorët shpesh vishen në mënyrë të pazakonte qëllimisht për të treguar antikonformizmin e tyre të lindur.
Shpesh mund t’i dalloni njerëzit e lindur në këtë shenjë ajri, nga përdorimi i shpeshtë fjalës “mik”. Fjalimet e zjarrta të Franklin Roosevelt-it i shenjës së Ujorit, fillonin gjithmonë me shprehjen: ”Miqtë e mi …” dhe pyetja tipike që bën një person i udhëhequr nga Urani pasi i ka dhënë fund një lidhjeje romantike është: “A mund të jemi ende miq?”
Ujori nuk është as i mërzitshëm dhe as naiv, as entuziast dhe as i pandershëm. Eksperimentimi i vazhdueshëm thjesht e bën atë kurioz për të depërtuar në misterin e ardhshëm dhe ky mister në horizont mund të jesh ti. Ai person, i cili duket sikur është një mijë kilometra larg mendërisht ose ai tjetri që duket sikur po ju vëzhgon me një mikroskop të padukshëm, është ndoshta një Ujor. Politika e magjeps atë, sportet e përthithin dhe fëmijët e intrigojnë. Po këto reagime i shkaktojnë kuajt, makinat, zbulimet mjekësore, autorët, astronautët, alkoolistët, pianot dhe lutjet.
Shikoni për një vështrim të çuditshëm, të largët në sy, sikur të kenë njëlloj magjie, një njohuri misterioze ku ju nuk mund të depërtoni. Sytë e Ujorit janë zakonisht të paqarta, me shprehi përhumbëse dhe ëndërrimtare dhe shpesh (por jo gjithmonë) janë blu, jeshile apo gri. Flokët zakonisht i kanë të drejtë dhe të butë, ndonjëherë bjond ose kafe e çelur. Shprehia e fytyrës është e zbehtë dhe gjatësia e tyre është zakonisht më e lartë se mesatarja. Ju do të vini re një fisnikëri të theksuar të profilit.
Ujorët liridashës mund të jenë mjaft gazmor, të çoroditur, origjinalë dhe të pavarur, por ata gjithashtu mund të jenë diplomatikë, të butë, të këndshëm dhe të turpshëm. Ujori do të kërkojë pothuajse dëshpërimisht sigurinë e turmave dhe ta mbush veten me miqësi. Pastaj ai do të bie në një magji të errët dhe të zymtë vetmie dhe do të dojë të rrijë absolutisht vetëm. Por edhe nëse është vetëm apo me të tjerë, ai do të ketë të njëjtin perceptim të mprehtë, i cili është në të njëjtën kohë edhe më i thellë dhe më i shpejtë se të tjerët. Urani e bën atë një rebel, i cili instiktivisht ndjen se të gjitha zakonet e vjetra janë të gabuara dhe se ndryshimi drastik dhe revolucionar është ajo që bota dhe njerëzit kanë nevojë (edhe pse, në qoftë se ai është aktivist në fushën e politikës, ai është aq i mençur sa të mos i transmetojë pikëpamjet e tij, para kohe dhe të prishë strategjinë e tij).
Për këtë qëllim, Ujorët janë gjithmonë duke analizuar situatat, miqtë dhe të huajt. Kjo mund të jetë shqetësuese, kur ata fillojnë të bërë pyetje të drejtëpërdrejta, pa takt duke zhbiruar deri në detaje zemrën dhe shpirtin tuaj. Kur ata zbulojnë se misteri nuk ishte aq i ndërlikuar sa prisnin, ata mërziten. Asgjë nuk është më fyese se sa një Ujor, i cili pasi ju ka ekzaminuar me mikroskopin e tij, shkon te personi tjetër më interesant, pikërisht kur sapo ju ka bindur që ju ishit njeriu më interesant në Tokë.
Pavarësisht fiksimit të tyre në miqësi, Ujorët nuk kanë shumë miq të ngushtë. Ata kërkojnë sasi dhe jo cilësi në shoqëri dhe rrallë krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme, për më shumë se një periudhë të kufizuar. Ka shumë për të zbuluar në këtë botë, që ai të mbetet i lidhur me një ose dy miqësi në mënyrë ekskluzive.
Ka një lloj të veçantë izolimi të Ujori dhe ai shpesh keqkuptohet nga njerëzit. Kjo për shkak se njerëzimi ende nuk e ka kuptuar utopinë e Ujorëve. Ujori jeton në të ardhmen dhe vjen vetëm për pak kohë në të tashmen. Kjo e bën atë të ndihet ndryshe nga të tjerët. Ai e ndjen këtë dhe kjo thellon ndjenjën e tij të izolimit. Kështu që endet midis reve të tij i vetmuar, ndërsa ne njerëzit e thjeshtë pyesim veten se çfarë është duke bërë aty. Astrologjia na mëson se “Si mendon Ujori sot, do të mendojë bota pas pesëdhjetë vjetëve.” Kjo mund të jetë e vërtetë, por sigurisht që kjo nuk do ta ngushtojë hendekun mes Uranit dhe pjesa tjetër të njerëzimit.
Kjo shenjë e Diellit njihet si shenjë e njerëzve që janë gjeni, pasi mbi shtatëdhjetë për qind e njerëzve në Muzeumet e të Famshmëve janë Ujorë ose kanë ashendentin e tyre Ujor. Në anën tjetër, ka një përqindje e lartë të konsiderueshme të personave të mbyllur në institucionet mendore, ose që shkojnë rregullisht në seanca me analistë këshillimi, që janë gjithashtu të shenjës së Ujorit. Është thënë se ka një kufi shumë delikat midis gjenialitetit dhe marrëzisë dhe miqtë tuaj të shenjës së Ujorit, ndonjëherë mund t’ju bëjnë që të pyesni veten se në cilën anë ndodhën ata. Ujorët janë një përzierje e ftohtësisë, prakticitetit dhe jostabilitetit të çuditshëm dhe ata duket se kanë një ndjeshmëri instinktive me probleme mendore. Është një fakt i habitshëm që pothuajse çdo Ujor mund të reduktojë ndjeshëm ankthin e çmendurisë te njerëzit me probleme mendore, thjesht duke biseduar me ta në heshtje. Ai ka një aftësi të mrekullueshme për qetësimin e njerëzve dhe për të qetësuesuar fëmijët e frikësuar.
Këndvështrimi i Ujorëve është aq i gjerë, sa që ju rrallë do të gjeni një që është me paragjykime,vetëm nëse ka ndikime të forta planetare në tabelën e tij të lindjes. Madje edhe atëherë, ai do të tronditet kur paragjykimi i tij është vënë në dukje. Instinkti i vëllazërisë, është aq i fortë, saqë nëse ndodh që një Ujor të fajësohet së ka qenë jotolerant, jo vetëm nuk është në dijeni të veprimit, por edhe etiketimin do ta urrejë shumë. Zakonisht, të gjithë janë vëllai apo motra e tij. Ai do të endet nëpër shoqëritë e pasura dhe ato të varfëra, ashtu me shtambën simbolike, duke mbledhur ujërat e dijes dhe duke i derdhur ato jashtë përsëri, me përjashtim të atyre gabimeve rastësore. Fshehja nuk zgjat shumë dhe para se të mendoni se e keni humbur, ai do të kthehet që të vazhdojë xhirot e radhës. Mos u mundoni të ndërprisni vetminë e tij. Kur dëshiron të jetë vetëm, vërtet e do këtë gjë dhe do të insistojë të rrijë vetëm, por nuk ka hequr dorë nga njerëzit, sepse Ujorët nuk mund të jetojnë pa ta.
Zakonisht, është e vështirë për të lënë një orar fiks më një Ujor për t’u takuar. Do të preferonte t’ia linte rastësisë takimin, sepse urren të ndihet i detyruar. Megjithatë, ju siguroj se nëse arrini ta bëni t’ju japë fjalën, do të vijë në orarin e caktuar dhe mirë është që mos ta lini të presë.
Ai do t’ju japë mendimin e tij në mënyrë të sinqertë, por nuk do të përpiqet t’ju diktojë se si duhet të mendoni apo se si duhet të jetoni jetën tuaj. Ndërkohë, nuk do që ju t’i tregoni si të mendojë apo të jetojë. Ai nuk ka dëshirë të japë idetë e tij te të tjerët. Filozofia e Ujorëve është se të gjithë kanë të veçantën e vet, mendimet dhe dëshirat e tyre unike. Çdo person e drejton vetë kërcimin e jetës dhe individualiteti duhet respektuar.
Ju rrallë do të gjeni një Ujor të luftojë për një çështje të madhe shoqërore. Ata jetojnë sipas kodit të tyre dhe mendojnë se kjo është e mjaftueshme. Njerëzit e udhëhequr nga Urani, janë shumë të zënë duke gjetur arsyen e revolucionit, duke dëgjuar problemet e njerëzve dhe ndarë të kuptuarin empatik. Ujori beson në ndryshimin me forcë, por ai e lë dhunën për të tjerët. Ai nuk është një frikacak moral apo fizik. Ai thjesht nuk përshtatet me luftën. Kur një konflikt e kap atë të papërgatitur, mund të bëhet konfuz, ose thjesht mund të jetë dakord, për t’i dhënë fund debatit. Reagimi i tij është e paparashikueshëm, por një gjë është e sigurt: Ditën tjetër mendimi i tij do të jetë fiks siç ishte më parë.
Një tjetër arsye pse Ujorët shpesh kritikohen është se ata janë plot me surpriza. Mund t’ju çojnë në perëndim, pastaj papritur të kthehen dhe të marshojnë në lindje, pa asnjë paralajmërim. Ujori ka një tendencë shumë kokëfortë, që mos t’ju lejojë të dini atë që është duke bërë apo menduar.
Ujorit nuk i vjen natyrshëm që t’i besojë njerëzit, të paktën jo derisa t’i ketë shqyrtuar motivet e tyre dhe pse jo edhe shpirtin, nëse do ishte e mundur. Është e vështirë të qëndrosh i qetë nën analizën e tij të çdo fjale dhe gjesti tuajin. Asnjëherë mos prisni që Ujori t’ju vlerësojë nga pamja e jashtme. Mirësjellja e tij e lindur nuk do ta ndalojë atë t’ju hedh një vështrim zhbirues nga koka te këmbët. Ai dëshiron të dijë se çfarë është pas asaj fytyre dhe do të drejtojë disa pyetje të thella dhe ndoshta edhe te sikletshme, me qëllim për të mësuar më tepër për ju. Por është inkurajuese të dini se sapo t’ju ketë aprovuar dhe pranuar, do të jetë besnik dhe miqësinë e tij nuk do të mund ta lëkundin as thashethemet dashakeqe. Nëse ju jeni miku i tij i vërtetë, nuk do të besojë në pëshpëritjet negative të armiqve të tu, edhe pse pa dyshim, ai do t’i dëgjojë nga kurioziteti absolut. Megjithatë rrini të sigurt se e ka mbledhur mendjen në analizën e fundit.
Sëmundjet e njerëzve të udhëhequr nga Urani janë lidhur zakonisht me sistemit qarkullues. Ata janë të ndjeshëm ndaj variçeve dhe dëmtimit të arterieve në moshën e vjetër, në qoftë se emocionet e tyre janë të drejtuara në mënyrë negative dhe kanë tendencë që të kenë aksidente në zonën e këmbëve, sidomos në shputat e këmbëve. Kyçet janë shpesh të dobëta dhe mund të kenë dhimbje në këmbë, për shkak të qarkullimit të dobët; shqetësime të shpeshta të fytit dhe nganjëherë rrahje të shpeshta zemre; probleme këto zakonisht jo serioze nëse nuk ka ndikime të mëdha në tabelën e lindjes. Ujorët kanë nevojë për shumë ajër të pastër, gjumë dhe stërvitje, por ata rrallë përfitojnë nga këto mundësi. Ata nuk mund të marrin shumë ajër të pastër, sepse zakonisht mbyllin dritaret, mbulohen me batanije dhe prapë ankohen se ngrinë së ftohti. Tensioni i lartë nervor që shoqëron aktivitetin mendor të Ujorit, i bën ata të mos flenë gjumë sa duhet dhe atë pjesë gjumi e kalojnë shpesh me ëndrra të çuditshme. Shëndeti i Ujorëve është zakonisht i shkëlqyer në fëmijëri, sepse pas ankesave, arrijnë të diagnostikohen. Problemet e vërteta do të fillojnë kur së bashku me moshën, të rritet dhe kokëfortësia për të shkuar në spital. Këta njerëz janë shumë të ndjeshëm ndaj hipnozës. Në mënyrë intuitive, shumë prej tyre e ndjejnë këtë dhe nuk do ta ekspozonin veten ndaj kësaj eksperience as për dashuri dhe as për para, por kjo është e gabuar, sepse sugjerimi i hipnozës nga një hipnotizues i mirë mjekësor mund të heqë me sukses fobitë e tyre të panumërta.
Ujorët nuk kanë memorien më të mirë në botë, por më vonë, ata me të vërtetë nuk kanë nevojë për të mësuar përmendësh shumë, pasi duket sikur i marrin njohuritë në ajër, nëpërmjet disa antenave të padukshme. Përqendrimi i Ujorit mund të jetë i shkëlqyer. Gjithashtu, janë në gjendje të kapin gjërat që po ndodhin rreth tyre, nëse vendosin ta bëjnë këtë, si të jenë radarë. Ata mund të jenë duke diskutuar një çështje të komplikuar dhe sërish nuk do të humbasin asnjë detaj të asaj që po ndodh në anën tjetër të dhomës, nëse vendosin ta bëjnë këtë. Ndonjëherë ju mund të jeni i bindur se Ujori me të cilin po flisnit nuk mban mend asnjë gjë nga ato që diskutuat, por të nesërmen ai do t’i përsërisë fjalët si një magnetofon. Kurrë mos e nënvlerësoni procesin e marrjes së njohurive të personit të udhëhequr nga Urani, ndonëse mund të duket i pavëmendshëm dhe me raste i papërqëndruar.
Çdo burrë apo grua Ujor mendon se është çelësi i të ardhmes. Megjithatë, nuk ka asgjë paragjykuese në lidhje me të menduarin e tyre. Si një shkencëtar i vërtetë, edhe në qoftë se është një mekanik ose një muzikant, Ujorët nuk do të arrijnë në përfundime, deri sa ta testojnë atë. Megjithatë, sapo formon një opinion apo mendim, mbetet i fiksuar në mënyrë të vendosur në trurin e tij. Aq shumë sa e do ndryshimin në shoqëri apo qeveri, po aq shumë nuk do asnjë ndryshim në mendimet e veta. Ai është plotësisht me mendje të hapur në lidhje me përparimin dhe emancipimin e botës, por mendja e tij qëndron hermetikisht e mbyllur kur përfshihen sjelljet personale, të cilat mund të jenë papritur konservatore. Ju mund të shihni se liberalizmi i tij ka kufijtë e vet.
Ujorët përbuzin gënjeshtrën dhe mashtrimin dhe ata shmangin huamarrjen dhe huadhënien. Ata do t’ju japin para si dhuratë, por asnjëherë mos i kërkoni borxh. Një premtim i thyer apo një borxh i pashlyer, mund të shkaktojë një çarje të madhe në miqësinë tuaj. Ujorët e mbajnë fjalën dhe gjithmonë i paguajnë faturat, prandaj presin edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Llogaritë e parave nuk u pëlqejnë shumë dhe kartat e kreditit mund t’i frikësojë ata. E gjithë kjo dashuri për ndershmërinë, megjithatë, ndonjëherë mund të devijojë në sjellje të diskutueshme. Ndonëse ai e urren shumë hipokrizinë dhe sjelljen e dyfishtë, Ujori është në gjendje që t’u përgjigjet pyetjeve në mënyrë shumë të zgjuar, sa të japë edhe përshtypje të rreme. Megjithatë, ai do të zemërohet shumë nëse kap dikë tjetër duke përdorur të njëjtën mënyrë delikate mashtrimi. Ai rrallë do të tregojë një gënjeshtër të drejtpërdrejtë, por mund mund t’ju bëjë për budalla në mënyra shumë të holla, që vështirë se kanë lidhje me ndershmërinë që predikon vazhdimisht. Kërkimi i paepur për të vërtetën dhe dëshira për të fshehur motivet e tij janë tipare të papajtueshme me njëra-tjetrën dhe Ujori duhet përfundimisht të përballet me këtë mospërputhje, në qoftë se do të mësojë të vërtetën për veten.
Ujorët kërkojnë atribute për të qenë idealistë, ndoshta shumë të tilla, pasi idealizmi i vërtetë përbëhet prej besimit të verbër dhe optimizmit dhe Urani është shumë mendjemprehtë për të mashtruar veten me çështje të humbura për kohë të gjatë. Ai e di se shumica e ëndrrave janë iluzione, ashtu si ylberi që e ka analizuar gjatë dhe ende e do. Tradita dhe autoriteti nuk i bëjnë aspak përshtypje.
Mendja dhe trupi i tij duhet të jetë po aq të lirë si era. Të përpiqesh te gozhdozh një Ujor, është si të tentosh të bësh një flutur të mos lëvizë, të fusësh një fllad pranvere në një dollap apo të mbyllësh një furtunë dimri në një shishe. Kjo nuk mund të bëhet dhe përveç kësaj, kush në këtë botë do të donte ta provonte? Edhe pse është aq shumë përpara në kohë dhe ju keni vështirësi për të kuptuar menjëherë pikëpamjet e tij, ja vlen të bëni një përpjekje. Pas kësaj përvoje, do të ktheheni padyshim më i mençur dhe më shumë i hutuar.
Shpirti i mbajtësit të ujit është i ndarë në dy pjesë në mënyrë të vazhdueshme nga Urani, planeti i ndryshimeve të paparashikueshme dhe të dhunshme, të cilat e lejojnë atë të shohë përpara me qartësi drejt të ardhmes. Ujëderdhësi i takon njerëzimit. Ai përfaqëson shpresat e saj më të vërteta dhe idealet më të mëdha. Madje edhe metali i tij, uraniumi, nuk është me të vërtetë një metal, por një lëndë kimike radioaktive metalike, që gjendet vetëm në kombinime.