Lihet në burg Selim Çekaj, babai Arbër Çekajt, i cili u arrestua dy ditë më parë, pasi në kontejnerin ku ai priste bananet e porositura me firmën e tij, “EcoalMax”, nga Ekuadori, Policia zbuloi të fshehur 49 kg kokainë.
Pas një seancë që zgjati disa orë, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka dhënë masën “Arrest me burg” për babain e Arbër Çekajt, Selim Çekaj, mbi të cilin rëndon akuza e trafikimit ndërkombëtar të drogave të forta.
Për shkak të situatës së pandemisë, seanca për masën e sigurisë për 72-vjeçarin u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa ishte gjyqtari Rexhep Bekteshi ai që ka vendosur “Arrest me burg” për Çekajn.
Organi akuzës që përfaqësohej nga prokurorja Enkeleda Xhengo e akuzoi Çekajn për trafik ndërkombëtar droge, duke kërkuar si masë sigurie atë të arrestit në burg për 72-vjeçarin, i cili ka mohuar të gjitha akuzat, duke u deklaruar i pafajshëm.
“Nuk kam asnjë lidhje me drogën. Unë kam porositur banane dhe pres banane, nga ta di unë se me çfarë është kontejneri brenda. Nuk e ngarkova unë kontejnerin në Ekuador, përse duhet të kem përgjegjësi unë? Përgjegjësia ime do të ishte, nëse do merrja kontejnerin, do ta fusja në mjediset e kompanisë dhe do nxirja drogën. Unë kontejnerin nuk e kam parë më sy deri në momentin që Policia ushtroi kontrollin. Nuk di çfarë të them, por nuk i pranoj akuzat dhe vetëshpallem i pafajshëm”, ka deklaruar ndër të tjera 72-vjeçari.
Në mbrojtje të Selim Çekajt ishin avokatët Maksim Haxhiaj dhe Neshat Fana, të cilët thanë se klienti i tyre nuk ka kurrfarë lidhje me drogën e kapur në port, pasi sipas tyre, përgjegjës deri në momentin që ngarkesa futet në mjediset e kompanisë është pikërisht shitësi dhe jo porositësi.
Mbrojtja gjatë seancës gjyqësore dorëzoi edhe kontratën ku sipas tyre përgjegjësia se çfarë ka në kontejner për aq kohë sa ai është brenda portit nuk është e porositësit të mallit, por e dërguesit.
“Ka një kontratë e cila shkruan në nenin 7 që përgjegjësinë për kontejnerin nga Ekuadori deri në futjen në magazinë e mban shitësi. Po ashtu, thuhet se blerësi ka të drejtë të kontrollojë kontejnerin kur futet në magazinë dhe vetëm atëherë ka të drejtë ta hapë dhe të shohë mallin dhe asnjë përgjegjës tjetër. Nuk ka asnjë provë që ky njeri të jetë marrë me atë porosi.
Plak, njeri i nderuar, mësues, nuk di as anglisht, as spanjisht, nuk di as kompjuterin. Si u lidh ai me ata? Me cilët kontaktoi? Ai kontejner ka dy muaj që vjen vërdallë port më port. U kontrollua në magazinë, ndërkohë që në port u deshën pajisje të sofistikuara për të hapur atë gjë, ndërsa ku u kontrollua në magazinë, nuk u gjet asnjë vegël se si ai do e hapte atë. Është një marrëzi.
Nuk ka asnjë provë, zero”, deklaroi pas përfundimit të seancës Neshat Fana, avokati 72-vjeçarit