Publikimi i të dhënave personale të më shumë se 900 mijë qytetarëve, tashmë është nën hetim nga SPAK.
A ka dyshime për krim zgjedhor? Po a do të ketë një hetim të thelluar?
Të gjithë këto janë tashmë pjesë e dosjes që ndodhet në prokurorinë speciale dhe që po hetohet nga një grup prokurorësh.
Këtyre pyetjeve u ka kthyer përgjigje sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Breaking” në Top Neës, ku u shpreh se ata që bëjnë lajme të rreme, duhet të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.
Si po shkon fushata në Elbasan?
Fushata zgjedhore po shkon shumë mirë. Po bëjmë takime me njerëzit, sigurisht duke ruajtur të gjitha masat e marra nga Komiteti Teknik për pandeminë.
Kryesorja tani është çuarja deri në fund të kësaj lufte me armikun e padukshëm. Në Elbasan janë bërë rreth 25 mijë vaksinime në një kohë të shkurtër dhe sezoni turistik do na gjejë më një Elbasan të hapur.
Si e shikoni situatën zgjedhore në Elbasan, duke patur edhe ngacmime nga kundërshtari?
Ajo që bën Partia Demokratike është thjesht ngacmim pa vlerë dhe pa peshë. Fyejnë qytetarinë elbasanase me provokime. Të dielën kishte një aktivitet shumë të bukur në qendër të qytetit, ku menjëherë erdhën dasmorët e Lulit ku bllokuan tunelin e qytetit. Dita e zgjedhjeve po vjen, e ne po mirëpresim verdiktin e qytetarëve. Duhet të heqin dorë nga lloj-lloj alibish, por të pranojnë rezultatin.
Po nxjerrjen e të dhënave personale si e komentoni?
Janë sërviruar nga një portal i PD, disa foto eksel që nuk disponohen nga PS. Kjo ndodh edhe nga parti të mëdha, nga CDU gjermane apo parti të tjera të rëndësishme që disponojnë data-baze të tyre me elektoratin apo zgjedhësit. Bën sondazhe, vlerësim të mundësisë së shprehjes së votës së një qytetari. Janë vlerësime që merren në mënyrë transparente
Si do veprohet, pasi ka një hetim nga SPAK?
Ta hetojë, por në fund të hetojnë edhe ata që shpërndajnë lajme të rrema. Duhet që portali apo partia që ka instrumentuar këtë lajm, të mbajë përgjegjësinë. Ne do ta ndjekim në rrugë ligjore, kjo bëhet për fushatë, për të hedhur baltë ndaj PS. Partia Demokratike po përgatit çdo ditë alibinë e humbjes. Po shkruan raportin për mos pranimin e zgjedhjeve. Për çdo kallëzim të rremë mbahet përgjegjësi penale