Silva Bino Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP, në prezantimin e saj tha se vaksinimi ka ndikuar në përmirësimin e situatës epidemiologjike, duke e lidhur dhe me uljen e numrit të fataliteteve.
“Ne jemi duke matur me saktësi se çfarë impakti ka vaksinimi në të gjitha grupmoshat dhe në vdekshmërinë dhe në shtrimet në spitale. Si rezultat i këtyre vaksinimeve besoj dhe duket qartë që ka një impakt të vaksinimit në numrin e vdekjeve. Ky është një lajm tepër i mirë në këtë moment. Për të parë më tej impaktin që vaksinimi do të ketë në përgjithësi në popullatë kjo do të tregohet në javët në vazhdim”, tha Bino.
Bino tha se përqindja e mbulesës vaksinale është matur duke bërë me dije dhe qarqet ku kjo mbulesë është më e lartë.
“Gjirokastra është rrethi, i cili ka mbulesën më të lartë vaksinale. Qarqet të cilat kanë një përqindje të lartë të programit të vaksinimit janë ato të Vlorës, Fierit, por mbrapa nuk mbetet as Tirana, e cila ka një kompleksitet më të madh.
Strategjia që ne kemi ndjekur e mbushjes së popullatës me dozën e parë, një strategji e ndjekur nga një vend, i cili është për t’u marrë eksperiencë, Mbretëria e Bashkuar, është një strategji që duket që ka sukses.
Ne do ia dalim dhe deri në tetor apo për festat e fundvitit do jemi një vend me mbulesë të lartë vaksinale”, bëri me dije Bino.
Masat e tjera, si, ndalimi i grumbullimeve dhe ndalimi i qarkullimit nga ora 22:00 deri në 06:00 do të mbeten të pandryshueshme dhe situata do të vlerësohet në dinamikë nga ekspertët.