Ambasadorja e SHBA-ve, ka reaguar pas ndjesës publike të lëshuar nga drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu, duke i quajtura si të gabuara deklaratat se çdo person i dyshimtë do të ketë fatin e Pjerin Xhuvanit, pra do të vritet nga grupet e ngritur nga opozita për mbrojtjen e votës.
Yuri Kim e përgëzon atë për ndjesën ndërsa thotë se një rast tjetër si i Elbasanit nuk duhet të përsëritet kurrësesi. Ajo thotë se “Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë logon e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – e kaluara e shëmtuar që të gjithë ne duhet ta refuzojmë”.
Reagimi i ambasadores
Më vjen mirë të shohë ndjesën e qartë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë logon e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – e kaluara e shëmtuar që të gjithë ne duhet ta refuzojmë
Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mes të mbështetësve. Përkundrazi, kjo duhet të bëjë që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta drejtojnë këtë vend larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhme më të mirë.
Mziu doli më herët me një deklaratë ku shpreh keqardhjen dhe pendesën për atë që ka thënë, ndërsa thekson se ishte si rezultat i emocioneve të forta të momentit.
Mziu thekson se mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se është kundër dhunës.