Ori Nebijaj në zgjedhjet e 25 Prillit do të kandidojë për deputete nën siglën e Partisë Demokratike. Angazhimi i Orit në politikë është i hershëm, fillimisht në forumet rinore të PD-së dhe më pas si zëdhënëse e selisë blu.
E ftuar në “Opinion” në Tv Klan, Ori u shpreh e bindur se Partia Demokratike do të marrë të paktën 20 deputetë në Tiranë, ku dhe vetë kandidon.
E pyetur nëse do të vazhdojë të jetë në ekran, Ori u përgjigj: “Ky ishte një moment i mirë për mua, duke qenë aktivisht në politikë, për të kandiduar dhe për të qenë në listë, sepse edhe pjekuria ime politike në angazhimin që unë kam pasur prej vitesh tashmë në strukturat e partisë, që ka filluar që në forumet e partisë. Më pas si zëdhënëse e PD-së, ku pata mundësinë që për të paktën 3 vite ta njihja mirë se organizohej partia, si funksiononte.
Media ka qenë si një plotësim i një dëshire që unë e kam pasur që e vogël, por asnjëherë nuk ka qenë objektiv i jetës sime dhe angazhim me kohë të plotë.
Ekranin e kam ende, sepse ky është një pakt aktualisht me një kontratë që unë e kisha dhe që mund të vazhdoj ta kem deri pas 25 Prillit.