Vihen në pranga 4 shtetas. Sekuestrohen 900 gramë lëndë narkotike kokainë. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Durrës.
Bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Taksisti”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. Sh., 30 vjeç, V. M, 29 vjeç (i dënuar me pare me korrupsion aktiv), A. Gj., 55 vjeç, të tre banues në Durrës dhe A. B., 52 vjeç, banues në Tiranë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas një informacioni të marrë në rrugë operative se shtetasi A. Gj. kishte ardhur në zonën e Plazhit, me mjetin e tij taksi, së bashku me shtetasin A. B. (pasagjer), për të blerë një sasi lënde narkotike tek dy shtetas të tjerë, kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Në momentin e konstatimit dhe të ndërhyrjes së Policisë, shtetasit E. Sh. dhe V. M., të cilët posedonin lëndën narkotike, ndodheshin në një lokal në zonën e plazhit dhe sapo kanë vënë re prezencën e Policisë kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar dhe arrestuar nga Policia gjatë ndjekjes.
Gjate tentativës për t’u larguar, këta shtetas kanë hedhur një pako, e cila më pas u konstatua si lëndë narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 900 gramë. Gjatë operacionit u bë kapja dhe arrestimi edhe i dy shtetasve të tjerë A. Gj. dhe A. B., të cilët do blinin lëndën narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti taksi dhe 6 aparate celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.