Në zbatim të detyrave të përcaktuara në programin e punës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit “Mbi garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë periudhës zgjedhore, në zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë, datë 25 Prill 2021, nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës si dhe Komisariatet në varësi të saj, janë marrë e po zbatohen të gjitha masat e duhura sipas procedurave standarte.
Secili punonjës policie është trajnuar si dhe është pajisur me librin e xhepit kujtesë dhe me dokumentin identifikues sipas numrit kodik të punonjësve që do të angazhohen me shërbime gjatë procesit zgjedhor.
Janë ngritur grupet e drejtimit në Komisariate dhe Grupi i Koordinimit në Drejtori për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe menaxhimin e çdo lloj situate bazuar në planin e veçantë të masave “Për menaxhimin policor të situatave të papritura gjatë procesit zgjedhor”.
Është ngritur një grup pune i cili do raportojë në hartën digitale masat e Policisë Vendore Durrës për ruajtjen e objekteve zgjedhore duke pasqyruar për çdo qendër votimi, numrat e telefonit, të punonjësve të policisë me përgjegjësit e tyre. Kjo me qëllim që të kemi një komunikim real për çdo rast që punonjësit e policisë me shërbim do të kenë nevojë, t’i jepen orientime të shpejta që zgjidhjet të jenë vetëm në bazë dhe në zbatim të ligjit.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe në Komisariatet në varësi, u bë instruktazhi për punonjësit e policisë që janë të angazhuar në ruajtjen e QV-ve, të KZAZ-ve dhe VNV-ve. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, porositi edhe njëherë të gjithë punonjësit e policisë që të tregojnë profesionalizëm dhe të kryejnë detyrat në mënyrë të barabartë, me paanshmëri politike, vetëm në bazë dhe për zbatim të ligjit duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore e kushtetuese të njeriut.
Të gjitha objektet zgjedhore janë të mbuluara me punonjës Policie dhe marrja në ruajtie e tyre fillon në momentin e mbërritjes së materialeve zgjedhore.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka marrë të gjitha masat për krijimin e kushteve që qytetarët të votojnë të lirë dhe të qetë.