Problemi i evadimit të mbetjeve urbane të Durrësit, që u shndërrua në një shqetësim për banorët, jo vetëm të qytetit, por edhe të njësive administrative, rreth një vit më parë mbetet i hapur.
Së fundmi, janë krijuar, jo pak vështirësi në largimin e mbeturinave në çdo lagje, duke bërë që gjatë gjithë ditës venddepozitimet të qëndrojnë të tejmbushur, ndërsa vetëm një ditë më parë kanë qenë banorët e zonës së ish Kënetës, që kanë denoncuar djegien e këtyre mbetjeve, gjatë natës nga punonjësit e Bashkisë.
“- Po na helmojnë! -” shkruanin ata, krahas fotove dhe videos ilustruese.
Era e rëndë është shqetësimi më i pakët për banorët, që bashkëjetojnë, jo vetëm me praninë e mbetjeve, por edhe me djegien e tyre, duke rrezikuar seriozisht shëndetin.
Më shqetësuese gjendja paraqitet në njësitë administrative.
Një problematikë që ka gjetur pasqyrim të gjerë në kronikat informuese të TV Adrianet.
“- Bashkia dhe Qarku po ndërmarrin hapa ligjorë, që do të japin mundësinë e një vlerësimi, lidhur me aspektin financiar, për të mundësuar një zgjidhje përfundimtare dhe të përballueshme nga autoriteti vendor.” – do të deklaronte në 24 qershor të një viti më parë kryetarja në detyrë, Emiriana Sako, duke siguruar taksapaguesit se brenda 6 mujorit do ti hapej rrugë problemit të krijuar.
Kur kanë kaluar jo 6 muaj por një vit nga kjo deklaratë, situata nuk ka marrë zgjidhje.
Mbyllja e landfillit në Porto Romano ka krijuar një ngërç institucional për evadimin e mbetjeve urbane të Durrësit. Që në nisje, Bashkia shpalli pafuqinë financiare, për t’i dërguar këto mbetje në Sharrë, duke e shndërruar qytetin në një vatër infeksioni.
Kërkimet për një vendgrumbullim në një nga njësitë vendore, nën juridiksionin e institucionit të qeverisjes vendore Sukth apo Manëz rezultuan të pasuksesshme, pasi hasën në kundërshtinë e banorëve të këtyre zonave.
Ndërsa, këshilli bashkiak shpalli asokohe gjendjen e emergjencës mjedisore.
Ndërkohë, Bashkia Durrës ka hapur në datën 6 maj tenderin për studimin e fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve në territorin e saj. Afati përfundimtar i të cilit është përcaktuar 21 maji.
Vlera e këtij studimi kap shifrën 4,085,000 lekë pa TVSH.
Në këto kushte, çdokush mund të llogarisë, edhe përsa kohë do të na shoqërojë kjo problematikë, e cila lidhet drejtpërdrejtë me ndotjen mjedisore, por edhe me shëndetin e banorëve të Durrësit.
Prania e mbeturinave në qytet duket se do të vijojë. Një ogur i keq në këtë prag sezoni turistik.