“Grupi për PD”, do të quhet grupimi i ri, brenda Partisë Demokratike i cili kërkon dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha, pas rezultatit në zgjedhjet e 25 prillit. Në një konferencë për mediat mesditën e sotme, Grupi për PD u shpreh se nuk bëhet fjalë vetëm për garën për kryetarin, por nevojitet një reformim në parti.
Postimi i plotë
“Partia Demokratike në këto zgjedhje nuk frymëzoi dhe votuesi tradicional i kësaj force nuk u kthye në kutitë e votimit. Ne jemi të vetëdijshëm që përgjegjësia e zgjedhjeve i takon drejtuesve të Partisë. Ata duhet të marrin përgjegjësi për humbjen, pasi kanë shembullin e zotit Berisha. Dorëheqja e parevokueshme e Lulzim Bashës nga partia nuk është fundi i PD-së por fillimi i ringritjes së saj.” – thuhet në deklaratë.
“Shqipëria u përball me zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit, pas një qeverisje të korruptuar prej 8 vitesh, që e ka çuar vendin në varfëri. Ne jemi të vetëdijshëm që shitblerja e votës, përdorimi i administratës, përdorimi i të dhënave personale, ishin vetëm një pjesë e elementëve që përcaktuan rezultatin zgjedhor, por ne jemi po ashtu të vetëdijshëm që PD nuk arriti që të mundësonte mbështetje më të madhe.
PD ka pasur rezultat të njëjtë me 4 vite më parë, PD nuk po garonte për vend të dytë, pjesëmarrja me 46% në zgjedhje është tregues domethënës që PD nuk frymëzoi, dhe as nuk siguroi mbështetje për fitore.
Ne jemi të vetëdijshëm që përgjegjësia e zgjedhjeve i takon drejtuesve të Partisë. Ata duhet të marrin përgjegjësi për humbjen, pasi kanë shembullin e zotit Berisha. Dorëheqja e parevokueshme e Lulzim Bashës nga partia nuk është fundi i PD-së por fillimi i ringritjes së saj.
Mospjesëmarrja në Reformën territoriale, në zgjedhjet lokale, dalja nga parlamenti, ishin gabime të PD-së. Marrëveshja e 5 Majit, megjithë pasojat e saj, dëmtoi në mënyrë të pakthyeshme PD-në dhe aleatët, brenda partisë kryetari nuk mbajti përgjegjësi për humbjen e 2017. Në 2019 u përjashtuan nga Kuvendi të gjithë ata që kishin kundërshtuar vendimmarrjen, sërish lista ishte ajo e kryetarit.
Kryetari nuk kishte mësuar asgjë nga humbja e 2017-tës, aktualisht Shqipëria është në duart e atyre që vendosin shumëçka.” shprehet ‘Grupit për PD’.
Propozimet u prezantuan nga Edit Harxhi, që sipas saj kanë në thelb, pikërisht reformimin në mënyrë që PD-së ti kthehet dinjiteti.
1-Modelin hapjes dhe bashkimit të forcave brenda dhe jashtë vendit të atyre që janë larguar nga PD apo që duan të vijnë në PD
2-Kthimin në program të qartë të të djathtës konservatore moderne
3-Ndryshimet statuore duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit.
4-Debatit të lirë dhe sistemin e primareve me programe të qarta politike për çdo kandidat çdo demokrat brenda dhe jashtë vendit.
Pjesë e grupit janë ish presidenti Bujar Nishani, Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Endira Bushati, Bislim Ahmetaj dhe Indrit Hoxha.