Një terapi e lashtë, e trashëguar brez pas brezi, e përdorur jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën.
Kupat, të njohura ndryshe me emrin venduza apo gota e kanë prejardhjen nga mjekësia popullore. Ato janë përdorur qysh në kohët e vjetra.
Efektet e mira të mjekimit me kupa kanë bërë që përdorimi i tyre të përcillet brez pas brezi deri sot.
Terapia e kupave përdoret për mjekimin e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes dhe të muskulaturës së tyre.
Rezultate të mirë janë arritur dhe në mjekimin e gripit. Ai shoqërohet me pezmatimin e bronkeve, mushkërive, me dhimbje të muskujve etj.
Përdorimi i Kupave
Kupat vihen (hidhen) zakonisht mbi shpinë në këtë mënyrë: lëkura pastrohet dhe lyhet me pak vaj ulliri.
Kupat (e përgatitura për këtë qëllim) ngrohen mbi flakën e llampës së alkoolit (ose mbi flakën e qiririt) ose të një cope pambuku të njomur me alkool.
Ky i fundit ndizet dhe futet shpejt në kupë dhe kjo e fundit me ajër të rralluar, përmbyset menjëherë mbi lëkurë.
Në kupë krijohet një boshllëk, i cili e tërheq lëkurën në brendësi të saj.
Si rregull vihen jo më pak se 6 deri 7 kupa. Ato lihen mbi lëkurë 10 ose 15 minuta dhe pastaj hiqen.
Heqja e kupave duhet të bëhet me kujdes.
Me njërën dorë kapet kupa dhe me dorën tjetër shtypet lëkura nën buzët e kupës, në mënyrë që të futet ajri brenda dhe kupa shkëputet nga lëkura.
Çfarë i ndodh trupit pas hedhjes së kupave
Mekanizmi i veprimit të kupave është i ngjashëm me atë të masazhit.
Në zonën ku lëshohen kupat bëhet një ngacmim i drejtpërdrejtë dhe reflektor i mbaresave nervore të lëkurës dhe të enëve të gjakut.
Nga shtimi i ngacmueshmërisë së mbaresave nervore të sistemit nervor periferik ndodhin ndryshime në qarkullimin e gjakut. Por edhe të limfës ashtu si edhe fuqizimi i muskulaturës së enëve të gjakut.
Si pasojë e shtypjes, pakësohet ardhja e gjakut në indet përreth kupës. Kjo pasohet nga një shtim i ardhjes së gjakut në lëkurë (skuqja, hiperemi).
Nga rritja e qarkullimit të gjakut dhe limfës bëhet më mirë thithja e produkteve të zbërthimit. I cili formohet nga prishja e indit në vatrën e pezmatimit, shpërndarja e gjakut të grumbulluar dhe nxitja e veprimtarisë së indeve të sëmura. Nga thellësitë e indeve thithen inflamatorët (eksudati dhe infiltrati), gjë që ndikon në largimin e dhimbjeve.
Rritja e qarkullimit të gjakut në lëkurë shoqërohet me skuqjen e saj. Ashtu si edhe me ngritjen e temperaturës lokale, hapjen e poreve të lëkurës dhe përmirësimin e rrjedhës së djersës dhe të yndyrës nga gjëndrat përkatëse.
Nga këto ndryshime përmirësohet frymëmarrja nëpërmjet lëkurës. Ashtu si edhe gjendja e pëgjithshme e të organizmit dhe trupit, gjë që shoqërohet me kthimin e oreksit, me normalizimin e gjumit dhe me riaftësimin për punë./AgroWeb.org
* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.