Ndryshimet kushtetuese, deputeti i CDU/CSU: Nuk duhen të jenë të njëanshme

Ndryshimet kushtetuese kanë hapur një tjetër kapitull të përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar raporteri për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU, Christian Schmidt. Në reagimin e tij, Schmidt shpreh shqetësimin e tij për ndryshimet kushtetuese, ndërsa thekson se qeveria nuk duhet t’i bëjë këto ndryshime në mënyrë të njëanshme.

Po ashtu, politikani gjerman thekson se heqja e koalicioneve parazgjedhore nuk mund të realizohet pa dakordësimin e partive të tjera në Shqipëri.

Ndërkohë, raporteri për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU ka vlerësuar marrëveshjen për reformën zgjedhore të arritur mes palëve politike më 5 qershor të këtij viti.

“Me shqetësim të madh po shoh se Partia Socialiste po tenton ndryshime të tjera jashtë marrëveshjes: konkretisht po tenton heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore. Për të favorizuar vetveten? Bëni kujdes! Ndryshime të tjera bëhen vetëm, nëse partitë e rëndësishme brenda dhe jashtë parlamentit bien dakord për to.  Jam i bindur se kryeministri Rama, i cili është edhe kryetar i radhës së OSBE-së, do ta mbrojë frymën e marrëveshjes së 5 qershorit mes të gjitha partive. Besimi reciprok është i domosdoshëm!”- shkruan raporteri i CDU/CSU për Shqipërinë në Bundestag.

Reagimi i Schmidt është në të njëjtën linjë me Komisioneri npër Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili theksoi se ndryshimet kushtetuese nuk duhen të jenë të njëanshme, por gjithëpërfshirëse.

Author: admin