10 shtatori përkon me ditën ndërkombëtare të parandalimit të vetëvrasjes. Këtë e bën të ditur Instituti i Shëndetit Pubik. Me anë të një postimi të bërë sot në faqen zyrtare në “FaceBook”, ISHP, thotë se kjo ditë, synon të vërë në dukje se është detyrë e secilit në shoqëri, si pjesë e një komuniteti, të hedhë një vështrim tek ata që po kalojnë një periudhë të vështirë dhe t’i inkurajojë të flasin për problemet e tyre në mënyrë që të mund të shkohet drejt zgjidhjes.
Postimi i plotë:
Parandalimi i vetëvrasjes mbetet një sfidë universale. Për çdo vetëvrasje llogaritet që në të njëjtën kohë një numër shumë më i madh njerëzish po vuajnë në atë moment një situatë dhimbje intensive dhe janë të prekur dukshëm nga mendimet suicidale.
Kjo ditë, synon të vërë në dukje se është detyrë e secilit në shoqëri, si pjesë e një komuniteti, të hedhë një vështrim tek ata që po kalojnë një periudhë të vështirë dhe t’i inkurajojë të flasin për problemet e tyre në mënyrë që të mund të shkohet drejt zgjidhjes. Ndërsa lidhja ndërmjet vetëvrasjes dhe problemeve të shëndetit mendor (sidomos depresionit dhe çrregullimeve të përdorimit të alkoolit) është e njohur në vendet me të ardhura të larta, shumë vetëvrasje ndodhin papritur, në momente krize, kur individi ndjen vështirësi për t’u përballur me streset e jetës, si: problemet financiare, problemet në marrëdhëniet sentimentale, sëmundje apo dhimbje kronike.
Po ashtu, përballja me konflikte, fatkeqësi natyrore, dhunë, abuzim, humbje apo izolim është e lidhur ngushtë me sjelljen vetëvrasëse. Shifrat e vetëvrasjes janë të larta te grupet që përballen me diskriminim, si: refugjatët, emigrantët dhe migrantët; popullatat indigjene, individët gei, lezbike dhe transgjinorë dhe të burgosurit. Gjithsesi, faktori më i madh i rrezikut ngelet tentativa e mëparshme e vetëvrasjes.
- Fakt Afërsisht 800.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të vetëvrasjes.