Dashi: Ish-ja që të la
Të gjithë ish-ët i merr malli për ty. Sapo nuk të kanë më e kuptojnë sa u mungon ai sharmi yt kokëfortë, i pamposhtur dhe i egër. Për të mos folur për vetëbesimin tënd. Por nuk është problem për ty! Ajo që të trishton nuk është mungesa e ish-it, por me siguri je ndier e fyer në krenari, sepse vështirë të ketë njerëz që e respektojnë sa duhet natyrën tënde të fortë, luftarake. Megjithatë, ke aq vetëbesim sa të mos e mendosh shumë gjatë dhe të kërkosh dikë tjetër.
Demi: Ish-ja e qetë fare
Duke qenë se qasja jote ndaj gjërave është shumë logjike, nëse vendosni të mos jeni më bashkë, e quan kapitull të mbyllur. Natyra jote e qëndrueshme dhe e besueshme bën që shpesh të mbeteni shokë me ish-ët. Marrëdhëniet ndahu-pajtohu nuk kanë asnjë kuptim për ty, sepse nuk të pëlqejnë gjërat e paqëndrueshme. Edhe pse tjetri mund të mendojë për një rikthim, ty as që të shkon në mendje.
Binjakët: Ish-ja ndahu-pajtohu
Je e patrembur, aventuriere, le të themi që çfarë e mendon tani, s’e mendon pastaj. Ndaj edhe ndarjet klasike “lamtumirë, miku im i zemrës” nuk bëjnë për ty. Apo bëjnë?! Ti nuk e përcakton dot, ama e sigurtë është se me aq sa të pëlqen të komunikosh, s’e ke problem të afrohesh prapë me ish-in tënd.
Gaforrja: Ish-ja që të bën bllok në Facebook
Po e themi troç: ndarjet e këpusin një gaforre. Sigurisht që do ta përjetoni rëndë një ndarje, sepse jeni një ndër shenjat më besnike, më mbështetëse, më të dhembshura, ndaj kur dikush të cilit i keni besuar dhe i jeni përkushtuar ua hedh poshtë gjithçka keni bërë, ju shembet bota.
“S’më plas fare”, mund të thotë Gaforrja mes dy seancash të qare me dënesë. Fillon të shkruash një roman të gjatë por ky mesazh nuk do të dërgohet kurrë, jo sepse nuk doni që ai ta dijë çfarë po hiqni, por sepse nuk doni t’ia pranoni vetes.
Luani: Ish-ja e fyer në krenari
Nuk je e acaruar, nuk të intereson… epo, në fakt je pak e acaruar. Ndoshta jo e acaruar, më shumë e fyer sepse i dhe kohën tënde dikujt që nuk ishte në lartësinë tënde. Ah, edhe sepse ai nuk e kuptoi kurrë çfarë ylli i lindur je. Gjithashtu, nuk ndihesh fare mirë që i dhe më shumë sesa more prej tij. Sepse ti, Luaneshë madhështore, nuk do të luash liro-shtrëngo: të pëlqen t’i kërkosh gjërat drejtpërdrejtë, ndaj lojërat nuk bëjnë për ty.
Virgjëresha: Ish-ja që nuk të heq nga mendja
Kërkon një kuptim më të thellë në gjithçka, duke e analizuar çdo gjë dhe duke u përpjekur të mësosh prej saj. E kalon ndarjen mes të qarave dhe falenderimeve për universin që ju largoi nga ai njeri. Shikon mesazhet e vjetra që të zbulosh ndonjë fakt që vërteton teoritë e tua mbi atë që ndodhi, sepse do të arrish në përfundimin e saktë se pse ndodhi kështu si ndodhi.
Peshorja: Ish-ja miqësore
Duke qenë se u shmangesh përballjeve, që të ndahesh ti situata duhet të jetë shumë e ndërlikuar, dhe shpesh ndahesh pa i folur gjërat deri në fund. Përpiqesh të tregohesh sa më diplomatike dhe të tregosh se nuk mban mëri, por brenda e di se nuk ke për ta falur kurrë për zhgënjimin që të dha. E megjithatë, ke aq shumë sharm sa do ta bësh për vete menjëherë dikë që të pëlqen.
Akrepi: Ish-ja e ftohtë si akull
Nga t’ia nisim, Akrep? Ish-ët e tu tremben akoma prej teje. Je shumë e drejtpërdrejtë dhe nuk ke frikë t’ia nxjerrësh inatin dikujt për diçka të përpara 10 viteve. Nëse ndaheni, ish-i juaj ka nevojë për një mrekulli nëse do t’i shpëtojë inatit tënd. Por me kalimin e viteve nis të kuptosh se nuk është gjithmonë faji i tjetrit nëse mes jush nuk funksionoi.
Shigjetari: Ish-ja që thellë-thellë shpreson të ktheheni
Je aq argëtuese sa gjithë ish-ët i ke pjesë të shoqërisë tani, ndonëse ndoshta nuk do të doje. Do t’ia japësh të gjitha sinjalet që i duhen për të përcaktuar statusin e ri prej miqsh, por në fshehtësi mendoni se ndoshta do të ishte mirë po ta provonit përsëri. Vetëm se s’do ta bëje kurrë hapin e parë. Je mjaftueshëm kokëfortë sa për të vazhduar jetën tënde, nëse tjetri nuk bën asgjë për t’u kthyer.
Bricjapi: Ish-ja që pas ndarjes mbushet me nur
Je prapë single: një mundësi e mirë për të njohur njerëz të rinj, plot ngazëllim se mund të jenë më inteligjent, më të pashëm, me më shumë humor. Miqve të tu mund t’u duket pak mizore mënyra sesi ndahesh dhe bën menjëherë përpara, por për ty kjo është mënyra më e mirë. Fundja, ish-i yt ishte pak budalla; në një mënyrë apo në tjetrën të gjithë të zhgënjejnë, ndoshta sepse nuk e përballojnë dot dikë si ty. Të dhemb, por shikon anën pozitive: tani mund të njohësh dikë më të mirë, që të kupton ashtu siç je. Ndihesh e lehtësuar se nuk do të duhet ta bësh njërin sy qorr për disa gjëra që nuk të pëlqenin.
Ujori: Ish-ja që s’e kthen kokën pas
Me thënë të drejtën, ty Ujor lidhjet sikur të zënë frymën. Kur ndahesh ndihesh gati-gati e lehtësuar, sepse ke nevojë për shumë hapësirë.
Pas ndarjes nuk para tronditesh së brendshmi: humbja e dikujt të afërt nuk ta ndryshon mënyrën si e përfytyron veten. Je aq tërheqëse dhe karizmatike sa çdokush mund të bjerë në dashuri me ty, ndaj nuk e ke problem të kalosh tek tjetri. Por kur dikush të bëhet i mërzitshëm, e humb interesin dhe karizmën.
Peshqit: Ish-ja e sjellshme
O Peshk altruist! Je më e mirë se ç’duhet dhe i beson më shumë se ç’duhej të tjerëve. Miqtë e tu nervozohen sa herë që ti ndahesh, sepse janë lodhur duke parë si e shpërdorojnë besimin tënd. Përveç kësaj, mendojnë gjithmonë se mund të gjesh dikë më të mirë. Je plot dhembshuri dhe dashuri, ndaj gjithmonë përpiqesh të ruash marrëdhënie të mira me ish-ët. Ndarjet të lëndojnë dhe të bëjnë të vrasësh mendjen nëse humbe apo jo personin e duhur. Sigurisht që nuk ishte; nëse do të ishte personi i duhur do të ishte me ty.