“Të ndalohet udhëtimi në fundjavë”, ashpërsimi i masave anti-Covid, flet Pipero

Kur ka kaluar një vit që nga nisja e pandemisë, situata e infeksioneve të reja me koronavirus dhe fataliteteve ka pësuar një rritje të frikshme në vendin tonë.

Një nga kushtet kryesore për parandalimin e Covid 19, është respektimi strikt i masave, ndërkohë që në fuqi janë është më shumë se dy javësh ora policore dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve (20:00 deri në 06:00).

Mjeku infeksionist në QSUT, Pëllumb Pipero, thotë se virusi ka shumë të panjohura. “Në fillimet e tij kishte më shumë frikë dhe pasiguri, pasi nuk kishim informacion se çfarë do të ndodhte”.

Ai u ndal tek ashpërsimi i masave të vendpsura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Pipero tha se është me rëndësi që të kufizohen lëvizjet në fundjavë, duke shtuar se nuk është për mbyllje.

“Për mua duhet të ndalohet udhëtimi jashtë Tirane. Në fundjavë duhet të ketë një ndalim të kalimit nga një rajon tek tjetri, pasi mbipopullimi i lokaleve sjell transmetim të Covid-19. Po ashtu duhet të respektohen masat aktuale, – shpjegon infeksionisti për ‘Abc news’ – Unë mendoj që lokalet të zbatojnë masa strikte dhe po të respektohen masat aktuale dhe të kufizohen lëvizjet në fundjavë. Kështu mund të frenohet edhe përhapja e virusit. Për mua si mjek, indikator kryesor nuk është numri i rasteve të infeksioneve, por numri i rasteve që shtrohen në spital. Numri i atyre që shtrohen në spital është real, i rasteve të rënda, i atyre që humbasin jetën, këto janë indikatorë që mua si mjek më shqetësojnë”, sqaroi ai.

Gjithashtu Pipero, tha se përgjithësisht viruset pësojnë mutacione të rëndësishme me përhapje të shpejtë.

“Qoftë imuniteti natyral i fituar, qoftë imuniteti i përfituar nga vaksina, të mbron ndaj viruseve të tjera, edhe nëse infektohesh sëmundjen e kalon më lehtë”, theksoi Pipero.

Të hënën, nga 2.708 testime të kryera gjithsej në vendin tonë, kanë rezultuar të prekur me koronavirus 683 persona, ç’ka dëshmon se shkalla e infeksionit vijon të jetë e lartë

Ndërsa në harkun e 24 orëve të kaluara, kanë ndërruar jetë 17 persona të grupmoshave nga 53 deri në 85 vjeç./shkoder.info

Author: admin