Thikë pas shpine për Vladimir Putinit, “shokët” e tij i dalin kundër luftës në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin duket se është vetëm në luftën e tij kundër Ukrainës, pasi pas vetes ka vetëm Bjellorusinë dhe Çeçeninë. Miqtë e tij të tjerë duket se i kanë kthyer shpinën. Hungaria do të mbështesë të gjitha sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë. Kështu tha sot në kufirin ukrainas-hungarez kryeministri hungarez Viktor Orban, të cilin Putin e priti përzemërsisht në Kremlin vetëm disa javë më parë.
“Hungaria e ka bërë të qartë se ne mbështesim të gjitha sanksionet. Për çfarë do të arrijnë të bien dakord kryeministrat e Bashkimit Evropian, ne e pranojmë dhe mbështesim. Është koha për të qenë të bashkuar, kjo është një luftë,”– u tha Orban gazetarëve, raportoi Reuters.

Ndërkohë nga Ankaraja ka mbërritur informacioni se Turqia do të ndalojë kalimin e luftanijeve ruse përmes Dardaneleve dhe Bosforit, që lidhin Detin e Zi me Mesdheun. Ç’ka do të thotë që edhe presidenti turk Recep Tajip Erdogan nuk e mbështet mikun e tij Putin.
Turqia do të parandalojë anijet luftarake ruse të kalojnë nëpër Dardanelet dhe Bosforin,”– tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pas bisedimeve me Ankaranë, duke shtuar se vendi i kishte premtuar mbështetje ushtarake dhe humanitare Ukrainës. Megjithatë, Turqia njoftoi se ende nuk ka marrë një vendim për mbylljen e ngushticave të saj midis Mesdheut dhe Detit të Zi për marinën ruse – pavarësisht pretendimeve të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ndërsa së fundmi edhe Serbia, siç bëri me dije presidenti Aleksandër Vuçiç ka vendosur që të mos i bashkohet Rusisë në luftën që ka nisur me Ukrainën. Vuçiç dje u shpreh se njihte integritetin territorial të Ukrainës, por shtoi se nuk do t’i bashkohej sanksioneve ndaj Rusisë. Megjithatë edhe kjo lëvizje, për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve, ngjason me “tradhëti”. Po ashtu edhe Kina dje nuk dha asnjë sinjal mbështetjeje, duke kërkuar që gjithçka të zgjidhej me dialog mes palëve. Mesa duket Putin është i vetëm kundër të gjithëve…

 

Author: adrianet