Të gjithëve na ka ndodhur të pendohemi pasi kemi ndryshuar stilin tonë të flokëve tek parukierja. Pendohemi menjëherë pasi shohim se flokët tonë të gjatë tanimë janë tepër të shkurtër e nuk do të arrijnë më kurrë gjatësinë e mëparshme. Përtej dëshpërimit ka disa truke të cilat do të bëjnë flokët tuaj të zgjaten e të jenë gjithnjë të shëndetshëm.
Mbani mend që flokët nuk zgjaten brenda natës
Zgjatja e flokëve është një proces i cili merr kohë. Normalisht flokët tuaj zgjaten nga 6 milimetra deri në 1 centimetër çdo muaj dhe kjo vetëm nëse ato janë tërësisht të shëndetshme dhe jo të dëmtuara.
Mund t’ju duket ironike, por gërshërët janë mikeshat tuaja
Megjithëse prerja e rregullt e majave të djegura të flokëve nuk do të ndihmojë flokët tuaj të mbajnë gjatësinë, ajo do t’ju ndihmojë të keni flokë të shëndetshëm. Në vend që të mbani majat tuaja të djegura dhe jo të shëndetshme për një periudhë të gjatë kohe atëherë ju do të përfundoni me flokë më të shkurtër se sa po t’i prisni ato vazhdimisht. Për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të flokëve tuaj këshillohet që ju të prisni flokët tuaj çdo 10 deri në 12 javë.
Hidhni tutje jastëkun prej pambuku
Për të mbajtur flokë më të shëndetshëm këshillohet të përdorni jastëk satini për shkak të sipërfaqes më të butë dhe fërkimit më të ulët që krijon me flokët tuaj. Sa më pak flokët tuaj të fërkohen me jastëkun që ju flini aq më pak ato të ngatërrohen dhe formojnë nyje kur ju të zgjoheni.
Pas dushit shpërlani flokët tuaj me ujë të ftohtë
Uji i ftohtë shpërlan më butësisht shtresën e sipërme të skalpit të kokës, duke ruajtur yndyrën e nevojshme për zgjatjen e flokëve si dhe duke mbrojtur skalpin e kokës nga dëmtimet e ujit të ngrohtë.
Hidhni tutje llastiqet e flokëve
Sidomos nëse ju lyeni apo drejtoni shpesh flokët tuaj dhe keni maja të dëmtuara, llastiku i flokëve do të këpusë fijet e shëndetshme së bashku me ato të dëmtuarat. Kështu përdorni më pak llastikun e flokëve ose lidhini flokët tuaj poshtë rrënjëve të shëndetshme.