Diaspora shqiptare u bënë thirrje shqiptarëve që të dalin të votojnë në 25 prill, dhe që të mos e shesin votën e tyre në 25 prill.
Fushata të ngjashme ka zhvilluar në vend Qëndresa Qytetare, e cila ka bërë bashkë njerëz të ekranit, artit e kulturës etj, për të drejtuar thirrje të tilla.
Në Londër, një grup shqiptarësh atje kanë ndërmarrë një nismë të tillë, duke mbledhur thirrjet e shumë shqiptarëve të suksesshëm nëpër Europë.
Një prej tyre, Daniel Nikolla ishte në një lidhje Skype për “Wake Up” ku zbuloi më shumë rreth kësaj nisme.
“Kjo nismë ka kohë që mendohet në rrjetet e diasporës, të profesionistëve në Britani dhe më gjerë. Ka nisma të ndryshme në Shqipëri dhe në të gjithë diasporën.
Ne e nisëm takimin e parë të enjten e kaluar dhe vendosëm të kemi një fushatë 10-ditore, ku profesionistët shqiptarë në Britani, Gjermani dhe në SHBA ku është ekipi kryesor, të kemi një fushatë në hashtagun ‘voto në 25 prill’, ku diaspora u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
Ne duam t’u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të marrin pjesë në procesin demokratik dhe të mos e shesin votën e tyre”, apeloi Danieli.