Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë detaje në lidhje me hetimet për krimet zgjedhore të 25 prillit.
Përmes një deklaratë institucioni i kryeprokurorit njofton se janë arrestuar në flagrancë 5 persona, ndërsa 10 të tjerë po ndiqen penalisht. Gjithashtu bëhet e ditur se është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 4 persona dhe është pranuar kërkesa për 3 persona.
Përgjatë kësaj periudhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë marë në total 125 njoftime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve, prej të cilave: 82 kallëzime në prokurori nga subjekteve politike/kandidatë, shtetas apo institucione shtetërore; 20 referime të policisë gjyqësore dhe 23 ardhur me transferim nga SPAK.
“Në vijim të masave administrative dhe procedurale të ndërmara nga Prokurori i Përgjithshëm për të garantuar funksionimin normal të prokurorisë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore për periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhore, prokuroria është angazhuar për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, në kompetencë lëndore të juridiksionit të përgjithshëm.”, thuhet në një njoftim të Prokurorisë së Përgjithshme.
Nga raportimet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm mbi veprat penale në fushën e zgjedhjeve për periudhën parazgjedhore e deri më datë 07.05.2021 rezulton se prokuroritë kanë regjistruar procedimin penal për 38 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet dhe janë në proces verifikimi paraprak 50 njoftime për veprat penale si më poshtë:
Veprat penale në fushën e zgjedhjeve
Neni 325, Pengimi i subjekteve zgjedhjore
Neni 326, Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve
Neni 326/a, Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor
Neni 327, Shkelja e fshehtësisë së votimit
Neni 327/a, Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar
Neni 328, Korrupsioni aktiv në zgjedhje
Neni 328/a, Përdorimi i funksionit publik për veprimt. politike ose zgjedh.
Neni 328/b, Korrupsioni pasiv ne zgjedhje
Neni 329, Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje
Neni 330, Pengimi i zgjedhësit
Neni 330/a, Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve
Neni 331, Shkelja e të drejtës së zgjedhjes
Neni 331/a, Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit
Neni 332, Shpërdorimi i autoritetit ushtarak
Neni 332/a, Shpërdorimi i autoritetit policor
Neni 248 ,Shpërdorimi i detyrës ne lidhje me aktet ligjore për zgjedhjet
Kujtojmë se Partia Demokratike do të dorëzojë ditën e diel në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat për pavlefshmëri të zgjedhjeve të 25 prillit në 9 qarqet të vendit.
Nëntë kërkesat do të dorëzohen në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve. Pavlefshmëria pretendohet në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Berat, Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Durrës./Gazeta SHQIP