Gjykata e Tiranës ka dhënë dënimin ndaj biznesmenes Vjollca Hoxholli, e cila akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda.
Ajo u arrestua pasi i shiste apartamentet që i kishte në pronësi nga dy herë, duke përfituar me këtë mënyrë mashtrimi 318 mijë euro.
Gjykata mësohet se ka dhënë dënimin me 6 vite burg për Hoxhollin. Sipas Policisë, kjo shtetase që prej vitit 2007 kryen funksionin e administratores te një firmë ndërtimi dhe në këtë periudhë kohore dyshohet se me anë të mashtrimit ka premtuar shitjen e katër apartamenteve në rrugën “Teodor Keko”, shtetasit D. S., 56 vjeç, dhe pasi ka përvetësuar shumën monetare prej 318.580 eurosh, i ka shitur ato te shtetas të tjerë, më konkretisht, njërin prej tyre shtetasit E. M., 43 vjeç, banues në Tiranë.
E arrestuara mësohet se është bashkëshortja e Rrapush Hoxhollit, ndërtues i njohur në Tiranë, aktualisht person nën hetim nga Prokuroria për mashtrim me shitjen e apartamenteve.
Një vit më parë, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim shtetasen Vjollca Hoxholli, administratore e shoqërisë së ndërtimit “Gora sh.p.k.” dhe “Hoxholli”, duke e akuzuar për veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”. Hetimet kishin nisur në bazë të kallëzimit të shtetasit A.M., i cili ka konstatuar se dy apartamente dhe dy garazhe të blera në vitin 1997 në firmën “Hoxholli”, kompania paraardhëse e “Gora”, i janë shitur në vitin 2006 një personi tjetër, i cili rezultoi të ishte motra e të pandehurës.
Nga hetimi ka rezultuar se, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, pronat e blera nga kallëzuesi në pallatet e “Hoxhollit” në vlerën 13 milionë lekë të rinj, e pandehura Vjollca Hoxholli ia ka “shitur” motrës së saj, Sadete Bejdo, shumë vite më pas. Sipas Prokurorisë, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, pronat e blera nga kallëzuesi në pallatet e “Hoxhollit”, në vlerën 13 milionë lekë të rinj, e pandehura Vjollca Hoxholli ia ka “shitur” motrës së saj, Sadete Bejdo, shumë vite më pas.