Çfarë po ndodh me popullsinë në Shqipëri?/ OKB jep alarmin

Emigracioni i lartë dhe plakja e popullsisë, po e çojnë popullsinë e Shqipërisë në rënie pa kthim në të gjithë skenarët.

Kombet e Bashkuara në projeksionet e reja “Rishikimi i Perspektivës së Popullsisë Botërore 2024”, e renditën Shqipërinë si vendin me rënien më të fortë të normave të lindshmërisë (fertilitetit) për grua me rreth 15% deri në vitin 2054 në rang global.

Pas Shqipërisë, vendet që do të kenë rënie të lartë të lindshmërisë do të jenë Armenia, Moldavia, Mali i Zi etj.

OKB vëren se niveli i fertilitetit, ose numri mesatar i lindjeve të gjalla për grua gjatë gjithë jetës, ka rënë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit në shumë vende.

Aktualisht, shkalla globale e lindshmërisë është 2.25 lindje të gjalla për grua, një fëmijë më pak se një brez më parë.

Në Shqipëri aktualisht, niveli i lindshmërinë për grua është më pak se 1.2 fëmijë, shumë poshtë shkallës së zëvendësimit.

Në 62 për qind të vendeve dhe zonave të grupit që tashmë përjetojnë nivele të ulëta të lindshmërisë, emigracioni ka të ngjarë të kontribuojë në zvogëlimin e mëtejshëm të numrit të popullsisë nga tani deri në vitin 2054. Në këtë grup vendesh bën pjesë edhe Shqipëria.

Më herët, OKB, në projeksionet e reja për ecurinë e popullsisë së botës deri më 2054, referon se Shqipëria renditet në mesin e vendeve me rënien më të madhe të popullsisë ndërmjet 2024-2054 në rang global.

Raporti referon se grupi i vendeve ku përfshihet Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Lituania, Porto Riko dhe Moldavia do të përballet me një rënie të popullsisë në nivelet 14% në 30 vitet e ardhshme. Këto vende do të kenë normat më të larta globale të rënies së popullsisë.

Author: news

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *