Berisha – Ramës/ Vend në tokë nuk do gjesh nëse i prek një qime floku Gazment Bardhit

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka qenë mjaft i ashpër mbrëmjen e kësaj të enjteje në fjalimin për mbështetësit që mblidhen pranë banesës së tij. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka lëshuar një kërcënim me jetë ose me burg “me gojën e zëdhënësit të tij, Sokol Balla”, për kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

“Në emër tuaj do i deklaroj këtu, se guxon dhe i prek një qime floku të Gazment Bardhit ose të çdo deputeti, vend mbi tokë nuk do kesh. Nuk të mbrojnë dot as tunelet e Dajtit, as shpellat e Malit me Gropa, kudo që të jesh do gjendesh dhe do të të bëhet gjyqi para shqiptarëve.

Prandaj mos mendo ti se për krimet e Olsit dhe tuat, për trafiqet e tua dhe të Olsit, për vjedhjet tua familjare dhe të Olsit, do mund t’i mbyllësh gojën opozitës. Jo, kurrë, harroje! Harroje dhe njëherë.

U them atyre mjeranëve të cilët nuk meritojnë as të quhen njerëz, mos u bëni zëdhënës të një kryekrimineli, të një kryehajduti që mbron krimet e tij, vëllait të tij, organizatës së tij kriminale qeveri, sepse do njësoheni me ta. Dhe ky është një turp i madh” – tha Berisha.

Drejtuesi i Abc News, në një koment editorial mbrëmjen e së mërkurës u shpreh se “karma mund të rikthehet, herë në formën e Vinit dhe herë në formën e Visit” duke iu referuar Ervis Martinajt dhe Ervin Salianjit. Balla paralajmëroi Gaz Bardhin “që të mos thellohet në gabime pasi mund të ketë fatin e Ervis Martinajt, i zhdukur prej 9 gushtit 2022”.

Videon e ka publikuar në rrjetet sociale Gazment Bardhi bashkë me përgjigjen për Edi Ramën, që sipas Bardhit fshihet pas këtij mesazhi të koduar. Në letrën e hapur, Bardhi shkruan se do të vazhdojë të thellohet në të vërtetat dhe denoncimet e tij dhe se “Sokol Balla duhet të shqetësohet për fundin e Edi Ramës, dhe jo për fundin e tij”

Author: news

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *