Ëndrrat e Netanyahut dhe bandës së tij do të kthehen në makthe, thotë Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, foli me mediat vendase pas vizitës së tij në Shqipëri ku tha se takimet kanë konfirmuar “natyrën e palëkundur të miqësisë” midis dy vendeve.

Duke theksuar se vizita ishte jashtëzakonisht produktive dhe e suksesshme, Erdoğan deklaroi se po kërkojnë mënyra për të forcuar më tej marrëdhëniet tashmë të mira së bashku me homologët.

Lidhur me situatën në Lindjen e Mesme dhe sulmet izraelite në Gaza dhe Liban, Erdoğan tha se agresioni i Izraelit nuk mund të injorohet, duke shtuar se “me agjencinë tonë të inteligjencës, ne mbajmë nën kontroll hapat që Izraeli ka ndërmarrë dhe mund të marrë kundër Turqisë”.

Ai tha se Izraeli nuk po synon vetëm stabilitetin e Palestinës dhe Libanit, të cilat po i sulmon, por “po përpiqet gjithashtu të sigurojë që zjarri atje të ketë efekte përreth”.

“Gjenocidi në Gaza po ndodh para të gjithëve dhe ka zënë vendin në mesin e turpeve historike të njerëzimit”, tha presidenti turk, duke shtuar se “ata që qëndrojnë me organizatën terroriste sioniste të quajtur Izrael sot, do të mbajnë gjurmët e këtij turpi për breza”.

Në fund të deklaratës, Erdoğan bëri këtë paralajmërim: “Ëndrrat e Netanyahut dhe bandës së tij do të kthehen në makthe. Palestina do të jetë e lirë, Libani do të mbetet i lirë”.

Erdoğan apeloi që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa për ta ndaluar Izraelin.

“Izraeli është kërcënimi më konkret për paqen rajonale dhe globale. Ata që kanë marrë përsipër detyrën e ruajtjes së paqes botërore duhet t’i japin fund këtij kërcënimi”, deklaroi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Author: news

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *