
Gjatë periudhës 22 Shtator deri në 02 Tetor 2024 Datacentrum dhe Barometri në Euronews Albania ka pyetur ballë për ballë 1000 qytetarë në gjithë Shqipërinë lidhur me pëlqyeshmërinë e liderëve kryesorë politikë në vend dhe liderët e partive të reja.
Të pyetur nga Barometri Euronews – Albania lidhur me mendimin pozitiv apo negativ për Kryeministrin e vendit Edi Rama, 45.9% e qytetarëve kanë mendim pozitiv, ndërsa 50.1% e tyre kanë mendim negativ për të.
Mendimi pozitiv për Edi Ramën krahasuar me muajin Mars 2024, ka një rënie prej 9.6%, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Mars 2024 është rritur me 7.7%.
Lidhur me këtë rënie të pëlqyeshmërisë të kryeministrit Edi Rama ka folur dhe gazetari, Aleksandër Çipa. Ai tha se kjo rënie vjen si pasojë e një qëndrimi 12 vjeçar në krye të pushtetit, ndërsa shtoi se kjo nuk është arsyeja e vetme.
“Një qeverisës 12 vjeçar i ka të gjitha arsyet që të lodh njerëzit, kemi një situatë ndenjeje që është edhe si efekt psikologjik, psiko-social.
E dyta mund të jetë edhe që ky autoritet që gëzon kaq shumë pushtete, janë disa efekte që ai u shmanget në diskutime dhe debate publike, reduktimi i pluralizimit në mënyrën më substanciale të fjalës.
Krijimi i një demokracie monstër brenda vetë partisë, ku mungon mendimi ndryshe, mungon diskutimi, debati, paradiskutimi. E treta është situata e krizës së opozitës që duam apo nuk duam ka përgjegjësi për situatën në të cilën ndodhet”, tha ai.