Cili është më i pasuri mes Ramës, Metës, Berishës e Bashës?

Politika dhe paraja janë dy elementë të pandarë që kanë shoqëruar demokracinë shqiptare.

E teksa vitet kaluan një nga një, edhe në muajt e fundit të 2024 situata duket të mos ketë ndryshuar shumë te politikanët, të paktën në raport me pasurinë.

Për ironi të fatit, edhe inteligjenca artificiale nxjerr si politikanët më të pasur në Shqipëri krerët e partive kryesore në vend duke filluar që nga Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Edi Rama, emra këta që prej gati 20 vitesh kanë vendosur monopol në ofrimin e alternativave politike në vend. Por sa është pasuria e tyre?

Në skedën e këtij emisioni janë vendosur deklaratat e pasurisë të Sali Berishës, Ilir Metës, Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Ku për t’i kthyer një përgjigje pyetjes së pasurisë së Berishës, mjafton të hapen deklaratat e pasurisë së tij ndër vite nga ku rezulton se kryetari i Partisë Demokratike, zotëron vetëm një apartament në Tiranë dhe 100 mijë dollarë kursim.

Shtëpia e Sali Berishës u bë e njohur në ditët e para të muajit janar të këtij viti pas vendosjes së tij në masën e sigurisë arrest në shtëpi. Kjo jo vetëm për shkak të mbështetësve të cilët çdo mbrëmje tashmë prej tetë muajsh mblidhen poshtë shtëpisë së tij, por edhe për shkak të vizitave politike që ka pritur në shtëpi.

Banesa e tij tashmë është kthyer në zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, dhe si e tillë i është dashur të presë disa miq nga jashtë, të cilët kanë kërkuar ta takojnë personalisht, dhe në pamjet e publikuara kanë dalë edhe pjesë nga shtëpia.

Krahas pasurisë së paluajtshme në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, kontoja bankare e tij vijon prej vitesh të qëndrojë në vlerën e 100 mijë eurove, para të cilat kryedemokrati i kishte ndarë mënjanë për pensionin e tij, i cili së fundmi duket të jetë edhe më i largët pas angazhimit të plotë në krye të Partisë Demokratike.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë qenë çifti më i përfolur i politikës shqiptare. Edhe tani pas vendimit të Ilir Metës për t’u divorcuar nga Kryemadhi, sërish mënyra e jetës së tyre vijon të jetë në qendër të vëmendjes, aq më shumë kur pasuria e tyre është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

Por tashmë me vendimin për t’u divorcuar, i cili vijon të jetë në proces pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasuritë e tyre duhet të llogariten në mënyrë të ndarë.

Kësisoj, nga ky divorc, të paktën financiarisht, Ilir Meta ka dalë i humbur pasi pasuria e tyre ka qenë e gjitha e regjistruar në emër të Monika Kryemadhit, ndërsa Ilir Meta duket se ka mbetur “i pastrehë” në kuptimin juridik të fjalës. Madje kohët e fundit është parë si një banor i zonës së Liqenit të Thatë në Tiranë e jo më Kodrës së Diellit ku pati banuar së bashku me Monika Kryemadhin.

Deklarata e pasurisë së Ilir Metës dhe qëndrimet e tij publike duket se përputhen me njëra-tjetrën, Ilir Meta në deklaratën e tij të pasurisë ka si të ardhura paratë nga pozicionet shtetërore që ka mbajtur, mes të cilave edhe ajo e Presidentit të Republikës që për 7 muajt e fundit të ushtrimit të detyrës i ka dhënë 20 mijë euro. Nga këto para të marra nga paga si president, Meta ka të kursyera rreth 1800 euro dhe këtu mbyllet deklarimi i pasurisë për kryetarin e Partisë së Lirisë.

Zemërgjerësia e Ilir Metës duket se lidhet me nivelin e ulët të parave që gjenden në llogarinë e tij, ndonëse tashmë prej muajsh publikon video në rrjete sociale duke shëtitur maleve e pyjeve të Shqipërisë.

Diçka krejt tjetër duket se është në raport me Monika Kryemadhin. Pasuria e saj është dukshëm më e lartë në krahasim me ish-bashkëshortin, ku burimi kryesor i tyre nuk është paga si deputete, por trashëgimi familjare. Kësisoj, Monika Kryemadhi disponon në emrin e saj rreth 14 apartamente mes të cilave edhe banesa në Gjirin e Lalëzit, disa llogari bankare të cilat kapin vlerën e disa mijëra eurove. Për mënyrën se si janë krijuar këto para, Monika Kryemadhi është thirrur disa herë në SPAK, mes të cilave edhe për të dhënë sqarime për operacionet e mundshme plastike.

Ajo që dallon Bashën nga Berisha dhe Meta është se ai nuk është nën hetim nga SPAK-u, por perceptimi publik për të e fut në të njëjtën kategori si Meta po Berisha, të pasurit e politikës. E pikërisht pasuria është ajo që i ra në sy Lulzim Basha kur u fut në politikën shqiptare. Edhe në deklaratën e parë të pasurisë të depozituar në ILDKPKI, Basha rezulton si një milioner 29-vjeçar me shuma të konsiderueshme parash kesh, disa shtëpi si në Holandë ashtu edhe në Tiranë e Durrës të cilat zotëroheshin 100% prej tij, konto bankare që kapnin vlera mbi 100 mijë euro e të tjerë.

Kalimi i viteve në opozitë nuk është përkthyer në zvogëlim të të ardhurave për Lulzim Bashën. Ndonëse në deklaratën e fundit të pasurisë nuk ka më një numër të lartë të pronave të patundshme, ajo deklaron se ka gjeneruar të ardhura deri në vlerën e 600 mijë eurove nga shitja e një apartamenti në Tiranë, apo 100 mijë euro nga trashëgimia. Kësisoj, opozitarizmi për të ka qenë i vështirë vetëm në përballjet politike me kundërshtarët në terren, pasi në aspektin personal, opozitë apo qeveri, të ardhurat vetëm janë shtuar.

Nëse deri tani analiza ishte përqendruar te tre individët kryesorë të opozitës në 12 vitet e fundit, sigurisht që personi më i atakuar publikisht si përfitues i parave publike është kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare në deklaratën e pasurisë së paluajtshme nuk rezulton të jetë në nivelin e rivalëve të tij politikë sa u takon parave të ndara mënjanë. Madje sipas deklaratës së pasurisë, Edi Rama rezulton të ketë llogari bankare në minus në rreth 1100 euro, ndërsa si burim të ardhurash ka pagën si kryeministër në vlerën e rreth 20 mijë eurove në vit.

Krahas pagës së numrit një të qeverisë, burim tjetër i të ardhurave për të është edhe veprimtaria artistike ku në deklaratën e pasurisë të vënë në dispozicion nga ILDKPKI, dëshmohet se rreth 2200 euro janë shtuar nga ky pasion i kryeministrit.

Ky skedim i pasurisë së tyre dhe perceptimi publik mbi ta janë vetëm një tregues se si politika në sytë e opinionit publik është parë për një kohë të gjatë, madje vijon të shihet si e tillë, si një korsi për t’u pasuruar me ritëm më të shpejtë.

Author: news

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *