“Këtë këngë do e shkruash ti”/ Olti Curri tregon fillimet e karrierës së tij: Propozimi i Besa Kokëdhimës më ndryshoi jetën

I ftuar në studion e emisionit “Rudina” në Tv Klan për të folur rreth takimit apo personin që i ka ndryshuar krejt rrjedhën e jetës, blogeri dhe tekstshkruesi Olti Curri rrëfen mes batutash dhe kujtimeve nostalgjike fillimet e karrierës së tij.

“Këtë do e shkruash ti”. pikërisht këto kanë qenë fjalët që këngëtarja Besa Kokëdhima i ka thënë Olti Currit për t’i shkruar tekstin e këngës që ajo të do të performonte në festival.

Këto fjalë dhe ky propozim ka qenë për gazetarin e kulturës në atë kohë që i hapën dritaren drejt shkrimit të teksteve muzikore.

Rudina Magjistari: Olti cili ka qenë takimi që të ka ndryshuar ty jetën?

Olti Curri: Biznesi që punoj është biznesi i showbizit. Unë e kam filluar si gazetar në “Radio +2”, bëja revistën “Spekter” dhe gjithmonë kam qenë në “backstage”, ndiqja emisionet, spektaklet televizive, shfaqjet e teatrit, e filmit, premierat dhe që të plotësoja atë orarin tim duhet të intervistoja personazhe të ndryshëm dhe unë i mbaj mend kush ka thënë “po” dhe kush ka thënë “jo” edhe pas 24 vjetësh. Unë kam qenë njeri që nuk kam shkruar poezi në vegjëlinë time dhe një “shkëndijë” për mua, po flas për artisten Besa Kokëdhima e cila ishte vajza e shefit që kishte grupin mediatik ku unë po punoja. Ajo kishte bërë prova me tekstshkrues për këngët dhe nuk po i dilnin atje ku duhej. Ajo donte të merrte pjesë në një festival të rëndësishëm. “Kush do të ma bëjë tekstin?”, i thashë “unë jam gazetar kulture do ma hapin telefonin të gjithë, më thuaj kë do” se mendova se po kërkonte ndihmë në këtë drejtim dhe nuk më harrohet ajo ndaloi, kthehet dhe më thotë “këtë këngë do e shkruash ti”. Dhe bëri që unë të bëja këtë këngë.

Rudina Magjistari: Ti vetë nuk e kishe menduar kurrë të bëje diçka të tillë?

Olti Curri: Absolutisht, zero!

Anila Çobani: Ja që takimi me Besën e bëri që të bënte diçka të tillë.

Olti Curri: Patjetër ishte ajo që i lindi një ide dhe unë pastaj që e çova misionin deri në fund. Po thash do bëj dhe këtë këngën dhe… Duke qenë se unë bëja dhe kritika për festivalet e të tjerëve dhe për çdo gjë tjetër, thash “dëgjo mos i thuaj njeriu që e kam bërë unë këtë këngën, do e bëjmë mbaroi”. Mendoja që “po sikur të mos ecë kënga, si do ja bëj unë i shkreti”. Kënga pati sukses ne vazhduam bashkëpunimin dhe në fillim Besës i thashë që nëpër intervista të anashkalonte emrin tim. E anashkaloi javën e parë, të dytë, të tretën dhe tha “Olti kënga ka sukses, kështu që unë do i nxjerr emrin tënd”, dhe unë i thashë “po mirë nxirre se kjo është e fundit”. Pastaj bëra shumë të tjera, për artistë të tjerë.

Duke mos kursyer falenderimet dhe përshëndetjet më të përzemërta për këngëtaren Kokëdhima, Olti Curri shprehet se shkrimi i tekstit të këngëve e ka bërë atë që të përjetojë emocionet si një artist. Ai gjithashtu shprehet shumë i lumtur që ndodhet midis fushës së gazetarisë dhe asaj të artit.

Author: news

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *